Policia në Minsk përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit

01/11/2020 21:53

Forcat e sigurisë në kryeqytetin bjellorus, Minsk, kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, por edhe kanë arrestuar pjesëmarrësit në protestën e sotme.

Protesta në Bjellorusi po organizohen për të kundërshtuar zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin gusht.

Mijëra protestues po marrin pjesë në dy marshe që po mbahen paralelisht në Minsk, ku qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e Alyaksandr Lukashenkës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Policia po fut në furgone protestuesit që po arreston në kryeqytetin bjellorus.

Forcat e sigurisë po ashtu kanë hedhur edhe bomba tymi, por edhe kanë shtënë në ajër si paralajmërim, për të shpërndarë turmat e njerëzve të mbledhur.

Në protestat që u organizuan një ditë më parë, dhjetëra persona u arrestuan, teksa gratë marshuan rrugëve të Minskut.

Shumica e liderëve të opozitës janë arrestuar ose janë detyruar që të largohen nga vendi, përfshirë edhe kandidaten presidenciale Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila thotë se rezultatet zgjedhore janë manipuluar në favor të Lukashenkës. Ajo pretendon se është fituesja legjitime e zgjedhjeve të 9 gushtit.

Pas zgjedhjeve Svyatlana Tsikhanouskaya u largua në Lituani për shkak të kërcënimeve që pranoi.

Ajo ka bërë thirrje për grevë mbarë kombëtare prej 26 tetorit, por forcat e sigurisë kanë filluar të kenë shtypje më brutale të protestave dhe ndaj disidentëve.

Lukashenko është në pushtet në Bjellorusi që 26 vjet. Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi nuk njihen nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel