Pas pothuajse pesë muajsh, Australia nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19, sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Shteti i Viktorias – epiqendra e valës së dytë të pandemisë në vend- prej dy ditësh nuk ka më infektime të reja. Ky shtet, ka qenë në izolim për 112 ditë. Autoritetet shëndetësore atje thonë se masat kufizuese, të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit, do të lehtësohen në ditët e ardhshme.
“Faleminderit të gjithë punëtorëve të mrekullueshëm shëndetësorë dhe publikë, por mbi të gjitha popullit australian”, tha në një postim në Twitter, ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt. Australia ka regjistruar 27,500 raste me koronavirus dhe 900 të vdekur, që prej fillimit të pandemisë. Shteti me 25 milionë banorë, aplikoi shpejt masa izolimi dhe testime ne masë me qëllimin ta mbante virusin nën kontroll.
Deri vonë, në Viktoria, ku janë shënuar 90 për qind të vdekjeve nga COVID-19 në mbarë vendin – ishin në fuqi masa izoluese të konsideruara si ndër më të rreptat në botë. Melburni – qyteti më I madh I saj, nisi të dalë nga izolimi më herët gjatë kësaj jave, pas përmirësimit të gjendjes epidemiologjike.
Top Channel