Qeveria e Kosovës miraton projektbuxhetin për vitin 2021

30/10/2020 10:05

Qeveria e Kosovës miratoi projektbuxhetin për vitin 2021, në vlerë prej 2.4 miliardë eurosh, i cili do të ketë në fokus sektorin e shëndetësisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Projektbuxheti u prezantua nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në mbledhjen e qeverisë, të mbajur të premten në mëngjes.

Ajo tha se projektbuxheti nuk ka arritur t’i adresojë të gjitha kërkesat e ministrive dhe organizatave buxhetore, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Me pasiguritë që po na shoqërojnë në perspektivën ekonomike, kemi përgatitur një projektbuxhet gjithëpërfshirës, që u përgjigjet sfidave që kemi para nesh. Projektbuxheti do ta ketë në fokus sektorin e shëndetësisë dhe rimëkëmbjen ekonomike”, tha ministrja Bajrami.

Ajo po ashtu tha se ekonomia e Kosovës, deri në fund të vitit, pritet të tkurret për rreth 6.7 për qind.

Sipas parashikimeve të qeverisë, ndërkaq, ekonomia pritet të rritet për 5.2 për qind në vitin 2021.

Projektbuxheti për vitin 2021 është për 200 milionë euro më i vogël se buxheti i këtij viti.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është fundi i dhjetorit (31 dhjetor).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA