“Bravo, keni fituar 700 mijë dollarë”/ Zbulohet skema e mashtrimit, gazetari: Më bëri ta besoja…

30/10/2020 14:05

Rrjetet sociale, vitet e fundit janë kthyer në skema mashtrimi.

Një mesazh, i cili i qarkullon miliona njerëzve njëkohësisht, ju njofton se jeni fituesi i një shume marramendëse parash. Një mashtrim i tillë ka përfshirë gazetarin Dritan Laci. Gazetari zbuloi në studion e emisionit “Shqipëria Live”, se në një moment e besoi këtë mesazh e ishte i gatshëm të bënte çfarë i kërkonin. Por një bisedë me një mikun e tij, ekspert kompjuterash, bëri që ai të reflektonte dhe të kuptonte lojën që po i luhej.

“Hapa mesazhin, m’u duk pak e rremë, ishte një numër nga Pakistani. Për ta bërë të besueshëm, thonë që kjo bëhet për të përkrahur persona në të gjithë botën, përmend edhe Zuckerberg-un. Bëra një verifikim të bankës, por kishte ekzistuar si bankë, ndërsa tani jo. Ky moment ishte dyshues. Duke qenë se të dhënat i kisha në Shqipëri, më kërkuan emër, mbiemër, vendin dhe numrin e telefonit. Në qoftë se doni të vini vetë dhe ta tërhiqni shumën, na lajmëro dy ditë përpara, ose përndryshe duhet të flasësh me postën. Unë i kam dërguar emailin postës dhe më ka ardhur kjo përgjigje, që flet për shifrat që duhet të paguaja për të përfituar sa më shpejt shumën. Kjo i ka shkuar miliona njerëzve, sikur vetëm 1.000 persona të kenë paguar këtë shifër, prej 280 dollarë, i bien 280.000 dollarë. U konsultova me një mikun tim ekspert kompjuterash dhe ai konstatoi që emaili i postës ishte i rremë. Kjo është karta që më kanë sjellë, është karta ime, është gati. Ata bënë gati çdo gjë. Është një kartë që nga e premtja është bërë gati të hënën, e bënë të besueshme. Sigurisht u zhgënjeva. Kisha personin në kafe dhe e mora veç, më tha ishte mashtrim”, tha gazetari.

Top Channel