29 tetori i vitit 2020 do të shënonte ikjen nga kjo jetë e një prej kompozitorëve më të mirë shqiptar, Avni Mulës.
Kompozitori është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare e kontributi i tij në artin shqiptar është i vyer, ku numëron dhjetëra projekte. Ditën e sotme, emisioni “Shqipëria Live” i kushtoi hapësirë vdekjes së kompozitorit, ku të ftuar ishin disa prej miqve të tij. Këngëtari Bujar Qamili shprehu të gjithë mirënjohjen e tij për Avni Mulën.
“Të them të drejtën nuk e doja këta lajm sot, sepse po xhiroja një klip të këngës sime, kur mora lajmin për profesor Avniun. Është një dhimbje e madhe, unë i jap ngushëllimet e mia një familje të admirueshme në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Në përvjetorin e tij, kisha një ftesë nga Inva. Erdha nga Shkodra, ajo që më bëri përshtypje kur hyri Avniu, me ato kaçurrelat e tij, u vendos kënga “Kaçurrela”. Unë nisa të këndoj, mbarova dhe i thashë a të pëlqen kënga. Ti tha e këndon shumë bukur, kjo këngë është e bërë nga Pjetër Gaci dhe më pëlqen akoma dhe më shumë”, u shpreh këngëtari.
Irma Libohova, tha se kënga e kompozuar nga i ndjeri tashmë Avni Mula, i hapi rrugë karrierës së saj muzikore. Irma theksoi se pasi interpretoi këngën, menjëherë u thirr nga ansambli i shtetit.
“Është një nga artistët pa kthim, nuk do të ketë tjetër Avni. Me gjithë atë shpirt të madh, përkushtimin që ka pasur për artin. Kam kënduar këngë të tij dhe di mirë çdo detaj të familjes Mula. Dua të kujtoj një detaj, pasi përfundova liceun, Avniu më bëri një këngë për pranverën, ajo këngë pati shumë koncerte. Menjëherë pas saj, kisha shumë koncerte. Ka qenë këngë fatsjellëse, pas asaj, kam filluar punë në ansamblin e shtetit. Avniun si person nuk do e harroj kurrë, shpreh ngushëllimet për familjet. Avniu është një gurë që i shtohet gjerdanit të artë artit në Shqipëri”, tregoi Irma.
Top Channel