Të dielën nis futbolli, Duka: Jemi në rrugë të mbarë për zgjidhjen e 4 kërkesave

29/10/2020 20:09

Futbolli në Shqipëri pas një pritje të gjatë do të nisë aktivitetet për sezonin 2020/21, edhe pse jo plotësisht pasi në fundjavë do të kthehen në fushën e lojës vetëm skuadrat e kategorive të tjera.

Sipas një komunikate të Federatës shqiptare të Futbollit, këtë të shtunë dhe të diel do të nisin kampionatet në Kategorinë e Parë, Kategorinë e dytë  si dhe në të gjitha nivelet e moshave. Në këtë pikë, sektori i Garave në Federatë tashmë ka nisur të njoftojë të gjithë klubet dhe po punon për këtë fillim të sezonit të ri. Ndërsa, përsa i përket Kategorisë Superiore, për fatin e kompeticionit më të rëndësishëm në futbollin shqiptar do të duhet të pritet dita e premte kur Liga e Futbollit do të marrë vendimin e saj pas mbledhjes që do të zhvillojë me presidentët e klubeve.

Vlen të kujtohet se Kategoria Superiore duhej të niste në 12 shtator, por Liga e Futbollit e bojkotoi teksa është në pritje të përgjigjes nga qeveria për kërkesat e saj, për të cilën ka dhënë afat deri ditën e enjte.

Top Channel