Skualifikohet për dy vjet Christian Coleman, humb Olimpiadën e Tokios

28/10/2020 15:03

Christian Coleman skualifikohet nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës dhe për pasojë njeriu më i shpejtë për momentin në rruzull privohet nga pjesëmarrja në Olimpiadën e Tokios. Është kampioni në fuqi i botës në garën e 100 metrave si dhe mbajtësi i rekordit botëror të garës së 60 metrave në salla të mbyllura, megjithatë rregullat janë rregulla dhe janë njësoj për të gjithë. Natyrisht përjashtim nuk bën as 24-vjeçari nga Atlanta, që u skualifikua për plot dy vjet nga krerët e Federatës Botërore të Atletikës, pasi Coleman iu shmang tri testimeve të kërkuara nga sektori i anti- dopingut.

Fenomeni i dopingut është shumë i përhapur në “mbretëreshën e sporteve” dhe në atletikë konsiderohet si shkelje edhe moskryerja e testeve apo edhe mungesa e informacionit në lidhje me vendndodhjen e çdo atleti. Christian Coleman tani skualifikohet për dy vjet pikërisht për këtë arsye, pasi atleti i famshëm nga Georgia nuk u tregua i disponueshëm në tri testime të kërkuara nga USADA, Agjencia e Anti – Dopingut në Shtetet e Bashkuara.

Për hir të së vërtetës, Coleman ishte i pezulluar që më datën 14 maj të këtij viti, pavarësisht se për shumë muaj atletët nuk garuan fare, për shkak të anulimit të shumë aktiviteteve për shkak të frikës së përhapjes së pandemisë së Koronavirusit. Christian Coleman mori famë në Botërorin e Londrës, në vitin 2017, kur meritoi medaljen e argjendtë si në garën e 100 metrave ashtu edhe në stafetën 4 x 100 me ekipin e Shteteve të Bashkuara, megjithatë dy vjet më pas, në kampionatin botëror të atletikës që u zhvillua 13 muaj më parë në kryeqytetin e Katarit, Doha, sprinteri i mirënjohur amerikan i shndërroi medaljet e këtyre garave në të arta, duke fiksuar kronometrin në 9” 76, për të fiksuar kohën e gjashtë më të shpejtë të të gjitha kohërave në këtë disiplinë.

Në këtë mënyrë, Lojërat Olimpike Verore, që do të zhvillohen në Japoni vitin e ardhshëm, humbasin një ndër favoritët absolutë për të triumfuar në garën më të shkurtër të “mbretëreshës së sporteve” në Olimpiadë.

Përfaqësuesi i atletit amerikan, Emanuel Hudson, konfirmoi se mbajtësi i rekordit botëror të garës së 60 metrave do të apelojë kundër vendimit të marrë nga Sektori i Integritetit të Atletikës AIU, duke e dërguar këtë çështje në CAS, pra Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Hudson e konsideroi skualifikimin si diçka të pafat dhe ai deklaroi se për momentin Christian Coleman nuk ka më asgjë për të shtuar, derisa të bëhet edhe seanca dëgjimore në gjykatën e posaçme të juridiksionit.

2 herë kampioni I botës tani ka kohë vetëm 30 ditë, për të paraqitur ankimimin e tij. Coleman u pezullua përkohësisht që në mesin e këtij viti, pasi humbi edhe një test të tretë në dhjetorin e vitit të kaluar. Në momentin kur atleti nuk tregon vendndodhjen e tij të saktë në tri raste, ndaj kontrolleve të befasishme që kryhen nga sektori I anti – dopingut brenda një periudhe 12-mujore, gjithçka pasohet nga një skualifikim 2-vjeçar, nga të gjitha garat e atletikës. Coleman nuk e kundërshtoi aspak testin e humbur më datën 16 janar të vitit 2019, por kampioni në fuqi i botës në garën e 100 metrave kontestoi dy rastet e tjera që u regjistruan në datat 6 prill dhe 9 dhjetor të vitit të kaluar. Hetimi i kësaj çështje ka treguar se nuk ka asnjë lloj prove që të vërtetojë se sprinteri i famshëm nga Shtetet e Bashkuara të ketë marrë substanca të ndaluara, por gjithsesi sjellja e tij ndaj autoriteteve të anti – dopingut është konsideruar si e pakujdesshme dhe krejtësisht e papranueshme, në një kohë kur shkelja e rregullores ndaj Sektorit të Integritetit të Atletikës është shumë e qartë.

Sipas AIU rregullorja e hartuar përcakton qartë, që çdo atlet është i shtrënguar për të pritur deri në 60’, pikërisht në vendin ku ka deklaruar vendndodhjen, përpara se të largohet dhe një rast i tillë mund të numërohet si një test i humbur. Tri raste të tilla kuptohet mjaftojnë për të skualifikuar një atlet nga garat për një periudhë 2-vjeçare. Sektori i Integritetit të Atletikës zbuloi se faturat e blerjeve të 24-vjeçarit nga Atlanta konfirmuan qartë që Coleman nuk ishte aspak në një dyqan për të blerë dhurata për Krishtlindje, apo qoftë edhe 5’ larg shtëpisë, siç deklaroi, madje sipas tyre atleti amerikan nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të kontaktuar me njerëzit që kishin udhëtuar enkas për të bërë analizat e nevojshme të anti – dopingut.

Pas rastit të dhjetorit Christian Coleman, i penduar, ka deklaruar në rrjetet sociale se do të donte t’i nënshtrohej një testimi të tillë gjatë çdo dite të karrierës, për të provuar pafajësinë e tij. Coleman përdori si justifikim faktin që ishte kthyer në shtëpinë e tij përpara orës 8:15 me orën lokale, pikërisht për të parë ndeshjen e së hënës në NFL, ndërkohë në krahun tjetër të dërguarit e USADA-s konfirmuan qartë që kanë qëndruar për plot një orë përpara hyrjes së shtëpisë, duke trokitur gjatë në një interval kohor prej çdo 10’, për më tepër të dërguarit e posaçëm fotografuan shtëpinë e sprinterit amerikan, ku kuptohej qartë që nuk kishte dritë brenda.

Edhe përpara dy medaljeve të arta në Doha USADA ngriti të njëjtat akuza ndaj sprinterit nga Georgia, për mosparaqitje dhe shmangie të testeve, por në atë kohë Coleman u mbrojt, duke u kapur pas një lloj parregullsie që u gjet në rastin e parë nga tri shkeljet e atyre 12 muajve, sidoqoftë me shkeljen e datës 9 dhjetor atleti amerikan mbeti krejtësisht zbuluar dhe nuk justifikohej dot më.

20 janarin e vitit 2018 Christian Coleman theu me vetëm 0.02” në Karolinën e Jugut rekordin 17-vjeçar të sprinterit të famshëm Mauricee Greene, ndërsa një muaj më vonë në Albuquerque, në New Mexico ai e përmirësoi sërish rekordin botëror të garës së 60 metrave, duke fiksuar kohën 6” 34.

Top Channel