Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Lajmin e bëri të ditur ai vetë përmes një postimi në Facebook.

“Të nderuar anëtarë të Lëvizjes e qytetarë të Republikës. Parmbrëmë kisha disa simptoma: dhimbje të lehtë koke, pak kollë, dhimbje e skuqje të syve. Dje, bëra testin për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar ai.

Disa politikanë në Kosovë janë prekur deri tani nga Covid 19 përfshirë dhe vetë kryeministrin Avdullah Hoti si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Aktualisht, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë që prej fillimit të pandemisë, e deri në 27 tetor, janë regjistruar 18,345 të infektuar e kanë humbur jetën 669 pacientë.

Një ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Armend Zemaj deklaroi se situata në spitalet e vendit tashmë konsiderohet e “qëndrueshme” edhe pse për shkak të situatës epidemiologjike të gjithë duhet të jenë sipas tij të vëmendshëm.

Top Channel