Pandemia në Kosovë/ Zemaj: Situata është e qëndrueshme

27/10/2020 11:33

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj thotë se situata në spitalet e vendit tashmë konsiderohet “e qëndrueshme”, edhe pse për shkak të situatës epidemiologjike të gjithë duhet të jenë sipas tij të vëmendshëm.

Këto komente ministri  i bëri pas një takimi me drejtorët e përgjithshëm të spitaleve dhe të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar.

“Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të qëndrojnë aty”, ka shkruar më pas ai në Facebook.

Ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të numrit të rasteve me koronavirusin e ri. Vetëm të hënën, u shënuan 205 infektime te tjera dhe tre viktima.

“Tashmë po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, dhe pres nga gjithsecili që ta ndiejë këtë, që ritmi i punës të mos ulet, por ajo të vazhdojë me përkushtim të shtuar”, tha Zemaj.

Top Channel