Sondazhi për pandeminë, besim tek teoritë e rrezikshme

26/10/2020 20:43

Një numër i madh njerëzish në botë, besojnë se covid 19 është krijuar qëllimisht, ka vrarë më pak njerëz nga sa raportohet ose është një mashtrim dhe nuk ekziston fare.

Këtë e tregon një vëzhgim i fundit global. Bashkë me besimin në teori të tjera konspirative, si ajo që bota drejtohet nga një sekt sekret, projekti për globalizmin i You-Gov dhe Camnridge, një vëzhgim me rreth 26 mijë njerëz në 25 vende të botës, i sheh këto besime shumë të përhapura e po ashtu edhe skepticizëm shqetësues për sigurinë e vaksinës.

Mes teorive konspirative më të besuara për covidin është ajo se numri i viktimave të koronavirusit është ekzagjeruar qëllimisht. 60 për qind e të anketuarve në Nigeri thonë se kjo është e vërtetë, bashkë me më shumë se 40 për qind në Greqi, Afrikën e jugut, Poloni dhe Meksikë.

38 për qind e amerikanëve, 36 për qind e hungarezëve dhe 30 për qind e italianëve besojnë të njëjtën gjë. Është e vërtetë që pandemia e koronavirusit ka bërë që shumë njerëz të thonë se u besojnë ekspertëve më shumë, por ka ndezur edhe një valë dezinformimi dhe lajmesh të rreme të propaganduara nga mohues të shkencës dhe mbështetës të teorive konspirative që janë shpërndarë në mënyrë virale në rrjetet sociale.

Një numër i madh njerëzish mendojnë se virusi është krijuar dhe përhapur nga qeveritë kineze ose amerikane ndërkohë në poloni, një në pesë persona beson se ai është tërësisht një mit i krijuar nga forca të paidentifikuara.

Thuajse e njëjta shifër është regjistruar edhe në Turqi, Egjipt dhe Arabinë saudite. Edhe pretendimi i rremë se teknologjia 5G duhet fajësuar për përhapjen e covid 19 ka plot mbështetës sipas vëzhgimit të kryer mes korrikut dhe gushtit.

Një nga teoritë konspirative më të besuara ndërkohë është ajo sipas të cilës, pavarësisht se kush është zyrtarisht në krye të qeverive kombëtare dhe organizatave të tjera, ka një grup të vetëm njerëzish që fshehtazi kontrollojnë gjithçka dhe sundojnë botën së bashku.

Top Channel