Kumbulla i prish festën Zlatanit, Milani e Roma barazim spektakolar në “San Siro”

26/10/2020 23:19

Marash Kumbullua prish ecurinë perfekte të Milanit në Serinë A. Mbrojtësi 20-vjeçar shqiptar shënoi golin e barazimit spektakolar 3-3 të Romës në “San Siro”, ku “Djalli” nuk ia doli tri herë radhazi të ruante epërsinë ndaj verdhekuqve. Talenti kuqezi, vetëm pak ditë pas golit të shënuar në Europa League ndaj Young Boys (1-2), realizoi një tjetër gol me peshë, duke u konfirmuar si goditja e Romës në merkaton e verës.

Në fakt, Kumbulla kishte një detyrë shumë të vështirë, të mbante gjigantin suedez Zlatan Ibrahimovic, i cili i shpëtoi mbulimit të tij në minutën e 2-të, duke shënuar golin e parë për kuqezinjtë. Në minutën e 14-të, një gabim në dalje i portierit Tatarusanu, u shfrytëzua nga Edin Dzeko, që e pati të lehtë të fitonte duelin me kokë me Romagnolin, 1-1.

I pafat Simon Kjaer në minutën e 30-të, me topin e devijuar prej tij që godet shtyllën, ndërsa në të 43-ën, tentativa e Calhanoglu u prit nga portieri Mirante.

Edhe më spektakolare pjesa e dytë, me Milanin që mori epërsinë 2-1 që në minutën e 47-të me Saelemaekers, që shfrytëzoi me një goditje të saktë brenda zonës depërtimit e zgjuar të Leaos nga e majta. Sërish Roma arrin të barazojë në minutën e 71-të me Veretout, pas një 11-metërshi të shkaktuar nga Benacer, por i kontestuar me forcë nga kuqezinjtë. Megjithatë, me një Zlatan Ibrahimovic që po përjeton një rini të dytë Milani nuk heq dorë nga fitorja dhe në minutën e 71-të 39-vjeçari e ktheu në gol penalltinë e fituar nga Calhanoglu.

Nuk ishte e thenë që Milani të siguronte fitoren e pestë radhazi, pasi festën kuqezinjve ua prishi Marash Kumbulla, në zhvillimet e një këndoreje, falë edhe një devijimi të lehtë të Ibrahimovicit, që u kthye në asist për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, 3-3. I pafat Romagnoli në minutën e gjashtë shtesë, kur goditja e tij me kokë shkoi ngjitur me shtyllën. U mbyll pa fitues kjo supersfidë e zhvilluar në “San Siro”, me protagonistë Zlatan Ibrahimiovicin dhe Marash Kumbullën, i pari thuajse me dyfishin e moshës së talentit kuqezi.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel