Greva e naftëtareve gra shënon ditën e 12-të të saj, ndërkohë që gjendja shëndetësore e tyre sa vjen dhe rëndohet.
Sakaq këtë të hënë ishte parashikuar që të mblidheshin qytetarë dhe punëtorë të uzinës në një protestë, për t’u dhënë zë kërkesave të grevistëve si dhe për të bërë publike hapat e tjerë që do të ndërmerren.
Një prej grevistëve ka kërkuar sot reagimin e kryeministrit Rama.
“Presim që kryeministri të reagojë. Pastaj futem për negociatat për uzinën. Duam më shumë sensibilizim, dhe mbështetje. Populli është uragan. Edhe gjendja shëndetësore po bëhet kritike, nuk dalim nga greva”, ka deklaruar para mediave një nga gratë greviste.
Grupi organizator i protestës ka shkuar pranë ambientit ku rrinë gratë naftëtare dhe ka bërë thirrje për mbështetje.
“Duke mos pasur asnjë reagim nga shteti, unë mendoj se duhet të mbështesim çdo ditë këto nëna heroine. Kauza jonë është e pandryshuar, pagesat e prapambetura dhe rifillimi i punës. Kryeministri duhet të vijë në takim me ne, me një përgjigje konkrete”, tha një prej protestuesve.
Grevistet kanë deklaruar se nuk kanë besim te propozimi i kryeministrit, i cili u ka thënë që të dalin nga greva dhe me pas të negociojnë.
Top Channel