Zhgënjyen fundjavën e kaluar, Atalanta, Inter e Lazio gati të “kthejnë faqe”

24/10/2020 09:54

Kampionati italian do të vijë këtë të shtunë me tre sfida mjaft interesante, pasi në fushë do të zbresin tre skuadrat që u renditën nga vendi i dytë në të katërtin sezonin e kaluar dhe që një javë më parë u mposhtën në takimet përkatëse.

Kështu në orën 15:00 do të luhet përballja mes Atalantës dhe Sampdorias, me bergamaskët që u mposhtën një javë më parë 4-1 në Napoli dhe do të provojnë rikthimin te suksesi, ndonëse siç e pranoi edhe vetë trajneri Gasperini, do të mendojnë edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Ajaxit.

Sfida në “Gewiss Stadium” pritet të jetë mjaft interesante, pasi edhe Sampdoria e Ranierit është përforcuar me elementë cilësorë e me eksperincë, ndaj është gati të bëjë një tjetër befasi, pasi mposhti Lazion me rezultatin e thellë 3-0 një javë më parë.

Nga një skuadër zikaltër, te një tjetër, pasi në orën 18:00 do të jetë radha e Interit që të provojë të rikthehet te fitorja e munguar që prej 30 shtatorit, pasi do të përballet me Genoan në transfertë.

Skuadra e Antonio Contes numëron dy barazime dhe një humbje në tre ndeshjet e fundit dhe marrja e tre pikëve ndaj Genoas është shndërruar në detyrim, për të mos u shkëputur nga kreu që në javët e para.

Në mbrëmje do të jetë radha e Lazios, që pasi dhuroi një performancë mjaft të mirë të martën në mbrëmje ndaj Borussias së Dortmundit, do të provojë të konfirmojë të njëjtën gjë edhe në kampionat, ku kanë fituar vetëm ndeshjen e parë dhe më pas kanë regjistruar dy humbje e një barazim.

Bardhekaltrit do të presin në “Olimpico” Bolognën e Sinisa Mihajlovic, që gjithashtu është në krizë rezultatesh dhe ka vetëm tre pikë në renditje pas 4 javëve të para. Sfida pritet të jetë e luftuar nga të dy ekipet, por me vendasit dukshëm favoritë, pasi Simone Inzaghi ka rikuperuar një pjesë të mirë të titullarëve për këtë ndeshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA