Irani u dërgon emaile kërcënuese votuesve amerikanë

24/10/2020 05:15

Sipas FBI-së dhe zyrtarëve të agjencive të zbulimit, votuesit në Florida morën disa herë gjatë ditës së martë emaile në dukje nga organizata “Proud Boys” – “Djemtë Krenarë”, të cilat sipas zyrtarëve federalë ishin emaile të sajuara të krijuara nga agjentë të Iranit.

Disa studentë të Universitetit të Floridas tregojnë se emailet u shfaqën në mëngjes, sipas raportimeve të medias lokale. Bennett Ragan, i sapo-diplomuar nga Universiteti i Floridës, tha për Zërin e Amerikës se emaili kishte shkuar në dosjen spam të llogarisë së tij, fillimisht në orën 15 dhe më pas në orën 17. Ragan menaxhon tani fushatën e një kandidati për legjislaturën shtetërore. Ai i dha gazetarit të Zërit të Amerikës një kopie të emailit. Emaili kishte adresën [email protected], një llogari emaili që më parë ka qenë në zotërimin e organizatës “Proud Boys”, një grup i ekstremit të djathtë që është shprehur pro rizgjedhjes së Presidentit Trump, por ka deklaruar se nuk ka lidhje me emailet e fundit.

Enrique Tarrio, udhëheqësi i grupit “Proud Boys”, përmes platformës së medias sociale Parler hodhi poshtë çdo përfshirje në dërgimin e emaileve kërcënuese. Ai nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për intervistë. Në rreshtin e subjektit të mesazhit shkruhej “Votoni për Trumpin, përndryshe!”. Emaili pretendonte se e dinte që Bennett Ragan ishte i regjistruar si demokrat, por i bënte presion që të ndryshonte përkatësi partiake dhe të votonte për Presidentin Trump. “Do të votosh për Donald Trumpin ditën e zgjedhjeve, ose do të të qepemi,” shkruhej në email. “Ndrysho parti, mbështet republikanët që të na e provosh që e more emailin dhe po e respekton mesazhin. Ne do ta mësojmë se për kë ke votuar. Po të isha ti, do ta merrja këtë mesazh seriozisht. Paç fat”.

Një tjetër person në stafin e kandidatit për legjislaturën e Floridas, Kayser Enneking, kishte marrë të njëjtin email, tha zoti Ragan. Të njëjtën gjë konfirmuan mbi 10 miq dhe të njohur të tij në Florida. Por, as Ragan vetë, as të tjerët, nuk i kishin kushtuar shumë rëndësi emailit.

Pjesë e një përpjekjeje më të madhe
“E pamë, reaguam ‘E çuditshme’,” kujton Ragan në një intervistë. “Për fat të keq kemi parë gjëra të tilla nga forca keqdashëse që përpiqen të ndikojnë tek zgjedhjet”. Por pasi edhe të tjerë në Florida si dhe në Alaska, Arizona dhe Pensilvania raportuan se kishin marrë mesazhe të ngjashme, u bë e qartë se kjo ishte pjesë e një operacioni më të madh. Këto mesazhe ishin pjesë e një fushate kibernetike nga Irani për të frikësuar votuesit amerikanë duke përdorur të dhëna mbi regjistrat e votuesve, që janë të disponueshme publikisht, thanë të mërkurën drejtori i FBI-së Christopher Wray dhe John Ratcliffe, drejtor i shërbimeve të zbulimit.

Irani dhe Rusia kanë marrë të dhëna mbi regjistrimin e votuesve, thanë zyrtarët. Irani ka përdorur llogari të sajuara ose të kopiuara emaili, për të frikësuar votuesit, tha zoti Ratcliffe. Ministria e jashtme iraniane i hodhi poshtë këto deklarata si akuza të pabaza. Votuesit demokratë në Florida duket se kanë qenë objektivi kryesor i sulmit me emaile të sajuara, megjithëse nuk dihet numri i saktë. Komiteti i Juristëve për të Drejta Civile tha se kishte marrë mbi 100 ankesa për emailet. Në Alaskë, disa votues demokratë raportuan se kishin marrë emaile, ndërsa në Arizona dhe Pensilvania vetëm një votues raportoi se ishte shenjestruar. Motivi i kësaj fushate mbetet i paqartë.

Zoti Ratcliffe tha se fushata ka për synim të dëmtojë shanset e Presidentit Trump, duke u përpjekur të bindë votuesit se ekzistojnë lidhje mes presidentit dhe organizatës së ekstremit të djathtë “Proud Boys”. Anëtarët e grupit “Proud Boys” e prezantojnë veten si një klub “shovinistësh perëndimorë” që mblidhen për të pirë. Por organizata që ndjekin aktivitetin ekstremist thonë se ky grupim ka në thelb të tij paragjykime të forta kundër grave, myslimanëve dhe imigrantëve.

Ky grup u bë pjesë e debatit kombëtar kur presidenti, gjatë debatit të parë presidencial, kur u pyet nëse do të dënonte ekstremin e djathtë, tha “Proud Boys, sprapsuni dhe prisni”. Më pas presidenti i tërhoqi komentet duke thënë se dënon të gjitha format e supremacisë së bardhë. Jesse Littlewood, nënpresident i grupit “Common Cause” që ndjek aktivitetin qeveritar, nuk mendon si zoti Ratcliffe se emailet kishin për qëllim të dëmtonin Presidentin Trump.

Regjistrat e votuesve, informacion publik
“Siç e shoh unë, emailet kishin për qëllim të nxisnin njerëzit të regjistroheshin si republikanë dhe të votonin për Presidentin Trump,” thotë zoti Littlewood për Zërin e Amerikës. Disa votues janë shprehur se emailet ishin të frikshme, por zoti Littlewood thotë se përpjekjet ishin kryesisht fushatë dezinformimi me synimin për të mbjellë kaos në prag të zgjedhjeve. “Ky aktivitet ka kosto shumë më të ulët se sa të hakerosh sistemet,” thotë zoti Littlewood.

Regjistrat e votuesve janë informacion publik dhe mund të gjenden kollaj. Kandidatët politikë dhe grupet sociale gjithnjë e më shumë po i shfrytëzojnë për të shenjestruar me mesazhin e tyre votuesit. “Ia vlen të përmendim se pjesa më e madhe e informacionit për të krijuar këtë fushatë është e aksesueshme publikisht,” tha sekretarja e shtetit të Arizonës, Katie Hobbs, në një deklaratë për Zërin e Amerikës. Arizona nuk i bën publike adresat e emailit të votuesve dhe një zëdhënëse e zonjës Hobs tha se ndoshta organizatorët e fushatës mund ta kenë gjetur në ndonjë listë komerciale emailin e të vetmit votues që u shenjestruar në Arizona.

Në Florida, organizatorët e fushatës së emaileve siç duket përdorën regjistrat e 2018-ës, sipas zotit Ragan. “Arrita në këtë përfundim pasi kishin përdorur adresën time të vjetër të emailit dhe po ashtu adresa të vjetra të kolegëve të mi,” thotë ai. Megjithëse regjistrat e votuesve janë informacion publik, për kë voton individi mbetet secret. Po ashtu, zoti Littlewood shton se me rëndësi është fakti që sistemet e votimit nuk u kompromentuan nga kjo fushatë dezinforrmimi.

“Personalisht, unë mendoj se sistemet janë shumë të sigurta dhe se zyrtarët që ndjekin procesin zgjedhor janë jopartiakë dhe të përkushtuar ndaj detyrës,” thotë në një intervistë zoti Enneking, anestiziolog që aktualisht po konkurron për deputet në Legjislaturën e Floridës./VOA

Top Channel