Papa Françesku mbështet homoseksualët/ Flet aktivisti Altin Hazizaj: Papa duhet përgëzuar sepse…

23/10/2020 14:46

“Njerëzit homoseksualë kanë të drejtë të qëndrojnë në familje. Ata janë fëmijë të Zotit. Ne kemi nevojë për një ligj mbi bashkimin civil për t’u dhënë atyre mbulesë ligjore.”

Kështu tha Papa Françesku gjatë një interviste në dokumentarin “Francesco”, realizuar nga regjisori amerikan Evgeny Afineevsky, i cili u prezantua në Festivalin e Filmit në Romë. Kjo deklaratë e bërë nga Papa ishte temë diskutimi në studion e emisionit “Shqipëria Live”. Aktivisti Altin Hazizaj, përgëzoi deklaratën në fjalë dhe tha se mes çifteve gay nuk është marrëdhënia, por dashuria.

“Papa Francesku jo vetëm që është figurë e rëndësishme, por është përfaqësues i Kishës Katolike kudo në botë. Duke qenë një figurë që ka shumë rëndësi dhe e dyta duke ditur që vetë Papa vjen nga brenda kishës katolike. Këto duan të sjellin kishën katolike në linjë me të drejtat bazë dhe themelore të njeriut. Papa duhet përgëzuar, se më së fundmi pati guximin të flasë hapur që çdo njeri është i Zotit, çdo njeri i Zotit duhet trajtuar i barabartë dhe gëzon të drejta. Për mua është shumë anësore. Feja ka zgjedhur që në shekullin që jetojmë, të luajnë një rol reaksionar që del kundër shkencës, kundër të drejtave të njeriut, e kundër barazisë gjinore. Të isha unë pjesë e feve, padiskutim që nuk do të më bënte logjikë, kjo është marrëdhënie jo natyrale, që nuk e mbështesim, nuk është çështja te marrëdhënia, këtu është te dashuria. Duhet ndarje mes jetës private dhe fetare. Hapësira civile, nëse nuk ekzistojnë respekti, barazia dhe mirënjohja do të ishim si në kohën e Enverit. Feja duhet të jetë e kujdesshme në fushën që ndërhyn. Feja nuk mund të më thotë mua, por edhe personi tjerët, ti ke të drejtë të martohesh dhe ti të mos martohesh”, tha Hazizaj.

Top Channel