Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi me zëvendës-Sekretarin amerikan për Ekonomi, Energji dhe Ambient, Keith Krach, për krijimin e rrjeteve të pastra të gjeneratës së pestë të komunikimeve (5G).
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është bërë në ambasadën e Kosovës në Shkup, në prani në zyrtarëve amerikanë, duke përfshirë ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Kryeministri Hoti e ka konsideruar këtë marrëveshje si hap të madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë.
“Përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore, për të qenë krah partnerëve tanë strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara në këtë fushë”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës tashmë kanë marrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me këtë çështje.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
LEXONI EDHE KËTË:
Kosova nis zbatimin e një pike nga marrëveshja e Uashingtonit, Ambasada Amerikane e përgëzon
Krach në anën tjetër ka thënë se Kosova është partnere shumë e çmueshme e SHBA-së, dhe kjo ceremoni nënshkrimi është dëshmi e lidhjeve të forta.
Në marrëveshjen për normalizim ekonomik, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Kosova dhe Serbia, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, dy vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit.
Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huaëei dhe rrjetin e saj 5G.
Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze.
Top Channel