Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me gjasa është në shkelje të Kushtetutës në përzgjedhjen e juristes Sonila Bejtja, si kandidate për anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Në relacionin që shoqëron vendimin e këtij këshilli për të lejuar kandidimin e një notere, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese shpjegohet se përse është shkelur Kushtetuta. Në pikën 4 dhe 5 të nenit 125 të Kushtetutës, parashikohet që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik të paktën 15 vite përvojë punë si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesore ose lektorë të së drejtës, nëpunës të lartë të administyratës publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.

Por kjo është CV e noteres që kërkon të bëhet anëtare e kushtetueses. Në të thuhet se Sonila Ibrahimi Bejtja ka patur titullin avokate nga maji i vitit 2001, të cilin e ka mbajtur deri në prill të vitit 2011 kur është bërë notere. Përvoja 10-vjeçare si avokate nuk është e mjaftueshme sipas kërkesës së Kushtetutës. Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi merr përsipër ta interpretojë Kushtetutën për të justifikuar se edhe përvovja si notere, është e vlefshme. Por Kushtetuta e ka të shprehur qartësisht profesionet dhe noterët nuk bëjnë pjesë.

Sonila Ibrahimi Bejtja në CV-në e saj nuk ka asnjë nga kushtet që kërkon Kushtetuta, përfshirë edhe veprimtaritë e spikatura. Ajo ka bërë trajnime kryesisht për çështjet ekonomike dhe ka realizuar një studim për privatizimet në Shqipëri. Por nuk ka asnjë të dhënë që të ketë veprimtari të spikatur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut etj. Veprimtari e spikatur e noteres që kërkon të bëhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese është mbajtja e qëndrimeve politike pro Presidentit, kur ky i fundit ishte në përplasje me mazhorancën. Dhe kjo afërsi politike duket se e ka ndihmuar noteren që të ishte në listën e kandidatëve që Presidenti i dorëzoi Këshillit të Emerimeve në Drejtësi.

Top Channel