Sulmi me armë në godinën e qeverisë kroate/ Sasi e madhe e armëve ilegale në Kroaci

21/10/2020 09:38

Pas një sulmi me armë në godinën e qeverisë kroate në Zagreb, në Kroaci është riaktualizuar debati për mbajtjen e armëve. Sulmuesi ka plagosur rëndë një polic dhe më pas ka vrarë veten.

Gjatë bastisjeve të objekteve në pronësi të 22-vjeçarit që ka sulmuar policin dhe më pas ka vrarë veten, policia ka gjetur disa armë dhe një sasi të madhe municioni. Por ky nuk është një rast i izoluar, si dëshmojnë bastisjet e kryera kohët e fundit. Një person 63-vjeçar thotë se ai do të donte të vriste kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq, në vend të 22-vjeçarit. Në shtëpinë e tij janë gjetur armë, municion dhe mjekte shpërthyese.

„Hulumtimet e fundit kanë dëshmuar se në Kroaci ka një armë ilegale për kokë banori“, thotë për DW, analisti Igor Tabak. Ai nuk pret rezultate tepër të mira nga aksioni për dorëzimin vullnetar të armëve. Një aksion i tillë po zhvillohet që nga viti 2007, nën moton “Më pak armë, më pak tragjedi”. Qëllimi është që qytetarët t’i dorëzojnë armët ilegale, pa pasur frikë nga pasojat. Policia ka premtuar se do të ruajë anoniminitetin e personave që i dorëzojnë armët. Këtë mundësi e kanë shfrytëzuar edhe shumë kroatë.Gra me bomba e armë kalibri

Raportet për armët e dorëzuara shpesh janë tepër të çuditshme. Ka raste kur gratë dorëzojnë armë të kalibrave të mëdhenj, bomba, minahedhës apo dhe mina që përdoren kundër automjeteve artilerike. Ka pasur dhe raste kur gratë kanë dorëzuar me dhjetëra bomba. „Gjatë luftës edhe unë kam pasur bomba. Për çdo rast, sepse ka qenë luftë dhe nuk kam dashur të bie në duart e armikut. Pas luftës i kam fshehur në një kotec ku pulat bënin vezë. Por dikur kisha frikë se dikush mund të bjerë në mina dhe i kam dorëzuar”, thotë një grua.

Prej shtatorit të vitit 2007 deri në shtator të vitit 2020 janë dorëzuar 343.492 armë ilegale. Numri i fishekëve kalon shifrën prej pesë milionë të dorëzuar, ndërkohë që janë dorëzuar dhe armë të kalibrave të vogël dhe të mëdhenj. Por ekspertët thonë se shumë qytetarë janë duke dorëzuar armë të prishura, ndërsa ato që janë në rregull vazhdojnë t’i mbajnë ilegalisht.

Kujtime nga lufta apo rrezik potencial?

Pra jo të gjithë duan t’i dorëzojnë armët. Kjo është një temë shumë e ndjeshme, e për të cilën jo të gjithë duan të flasin. Disa prej tyre thonë se armët i kanë siguruar gjatë luftës, disa pas lufte, sepse në treg nuk ka pasur armë legale. Armët asokohe kanë qenë kryesisht pronësi e ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë.

„Ne kemi bërë roje me çifte, ndërsa ata kanë pasur armë moderne dhe tankse“, thotë një ish-luftëtar kroat kundër forcave serbe. Ai megjithatë ka vendosur t’i kthejë armët ilegale, ndonëse e ka pasur shumë vështirë të ndahet nga armët që i kanë shpëtuar ndoshta jetën gjatë luftës. Por shumë të tjerë nuk i kanë dorëzur armët. Ka dhe të tillë të cilët hapur në rrjetet sociale thonë se armët duhen ruajtur – për mundësinë e shpërthimit të ndonjë lufte tjetër.

Apelet për dorëzimin e armëve

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës në Zarë, Jere Zurak, thotë se disa veteranë i kanë mbajtur armët si kujtim nga lufta. Por ai thotë se nuk është mirë të mbahen armë në shtëpi dhe se këto armë duhet të kthehen. Këto armë mund të sjellin edhe fatkeqësi në familje, sepse mund të ndodhë që dikush t’i përdorë ato dhe të ketë ndonjë vrasje. Ai ka ofruar pjesëmarrësve të luftës edhe ndihmë për kthimin e armëve, me premtimin se këta persona do të mbeten anonim.

Sulmi në godinën e qeverisë kroate ka hapur edhe çështjen e radikalizimit në shoqëri, në veçanti tek të rinjtë. Një kombinim i radikalizimit dhe armëve mund të jetë tepër i rrezikshëm. Ndaj qeveria po përpiqet të motivojë të gjithë për kthimin e armëve ilegale.

Ekzistojnë edhe ide për pagesa të personave që kthejnë armët ilegale. Por për momentin nuk ka ndonjë buxhet për armët ilegale. Megjithatë autoritetet po shqyrtojnë shumë mundësi për një siguri më të mirë të institucioneve dhe qytetarëve.

Top Channel