Me merkaton që ka përfunduar tashmë, drejtuesit e Barcelonës prej ditësh janë përqendruar në rinovimet e kontratave të futbollistëve që konsiderohen të rëndësishëm për të ardhmen e klubit dhe mbrëmjen e djeshme kanë ardhur edhe firmat e para.

Kështu mbrojtësi Gerard Pique u ndëshkua me karton të kuq ndaj Ferencvaros dhe do të humbë përballjen e javës së ardhshme në Torino ndaj Juventusit, por do të jetë pjesë e katalanasve edhe për 4 sezonet e ardhshme.

Ai ka firmosur kontratën e re, që do ta mbajë të lidhur me klubin katalan deri në verën e 2024-ës, kohë kur Pique të ketë 37 vite mbi supe dhe të jetë duke medituar tërheqjen, ndërsa drejtuesit e Barcelonës kanë përfshirë edhe një klauzolë për ndërprerjen e bashkëpunimit në vlerën e 500 milionë eurove.

Po kaq duhet të paguajnë edhe klubet e interesuara për kartonin e portierit gjerman Marc-Andre ter Stegen, i cili gjithashtu ka vendosur të qëndrojë në ‘Camp Nou” të paktën deri në verën e 2025-ës, pasi dje ka vënë firmën mbi kontratën e re.

Gardiani 28-vjeçar gjerman ishte shndërruar në një çështje kohët e fundit, pasi kishte rritur pretendimet për të rinovuar, por duket se drejtuesit e Barcelonës ia dolën ta bindin të firmosë kontratën e re, ndonëse detajet e saj nuk bëhet të ditura ende.

Firmën mbi kontratë e ka vënë edhe holandezi Frenkie de Jong, i cili iu bashkua katalanasve vetëm verën e kaluar, por tani ka firmosur një zgjatje të bashkëpunimit deri në verën e 2026-ës, me klauzolë prishjeje prej 400 milionë eurosh.

Holandezi shihet si njeriu ideal rreth të cilit Koeman dëshiron të ndërtojë Barcelonën e të ardhmes, ndaj drejtuesit kanë blinduar mesfushorin, duke i përmirësuar edhe termat financiarë si paga, shpërblimet e bonuset.

I fundit në radhën e atyre që kanë hedhur firmën mbi kontratë, por jo më pak i rëndësishmi, ka qenë mbrojtësi francez Lenglet, i cili do të jetë i lidhur me Barcelonën deri në verën e 2026-ës dhe ka një klauzolë prishjeje të bashkëpunimit, në vlerën e 300 milionë eurove.

Francezi i blerë nga Sevilla ka qenë një nga pikat më stabël të formacionit të skuadrës “blaugrana” dhe është shpërblyer me rinovim kontrate, pasi shihet si lideri i të ardhmes në prapavijën e katalanasve.

Ndërkohë nuk ka asnjë të re sa i përket rinovimit të kontratës së kapitenit Lionel Messi, që duket se ka vendosur të largohet në fund të sezonit, kohë kur edhe i përfundon zyrtarisht bashkëpunimi me Barcelonën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA