Ankth në Poloni, shifrat e Covid-19 rriten 16 herë

21/10/2020 01:30

Polonia konfirmoi një rekord rastesh të reja me koronavirus: 9,291.Shifra është 16 herë më e lartë se numri rekord i raportuar në valën e parë të pandemisë, në pranverë. Ajo po ashtu paraqet një rritje dyfish të numrave brenda javës.

Gati 9,000 shtretër spitalorë në Poloni janë tani në përdorim nga pacientët me koronavirus dhe Ministria e Shëndetësisë synon të rrisë numrin e shtretërve në dispozicion në rreth 15,000. Të shtunën, nisën punimet për spitalin e parë të përkohshëm në këtë vend.

Pesëqind shtretër do të vendosen në sallat e konferencave në Stadiumin Kombëtar të Varshavës. Kryeministri Mateusz Morawiecki urdhëroi që të bëhen përgatitje për ngritjen e spitaleve të përkohshme në të 16 rajonet e Polonisë.

Klinikat private po ashtu duhet të vënë në dispozicion shtretër për pacientët me koronavirus. Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet raportuan për 107 viktima që lidhen me koronavirusin. Polonia ka regjistruar në total mbi 192,000 raste me koronavirus dhe 3,721 viktima.

Top Channel