Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ftoi secilin që dyshon se ai e ka shkelur ligjin – duke shpërndarë në rrjetet sociale një artikull për një “akt terrorist” – ta sfidojë atë në gjykatë, në Kosovë ose në Francë.
Gashi, ditë më parë, ka shpërndarë në llogarinë e tij në Twitter një artikull të gazetës franceze “Le Figaro” për kronologjinë e një akti terrorist, që ka ndodhur të premten e kaluar në një qytet afër Parisit.
Më 16 tetor, një islamist i dyshuar i ka prerë kokën një mësuesi të historisë, i cili në një orë për lirinë e shprehjes, u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed.
Gashi ka shpërndarë artikullin e gazetës “Le Figaro” për rastin, i cili për ilustrim ka përdorur edhe karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara nga revista franceze, Charlie Hebdo.
Për rrjedhojë, Gashi është përballur me kritika dhe kërcënime në mediat sociale, ndërsa Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës në Kosovë që të distancohet nga veprimi i ambasadorit.
“Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj, duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidojë në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, tha ambasadori Gashi të mërkurën në një postim në Facebook.
Ai tha se mesazhet kërcënuese në adresë të tij “u raportohen organeve të rendit”.
“Unë nuk e përkrah e as arsyetoj dhunën”.
“Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pashë njerëz që mund të jenë të lënduar, sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar”, tha mes tjerash Gashi, duke theksuar se ai do të punojë “për mbrojtjen e lirisë së mendimit, të informimit e të shprehjes”.
Çka ka ndodhur në Francë?
Mësuesit të historisë, Samuel Paty, i është prerë koka më 16 tetor, jashtë shkollës së tij në periferi të Parisit verior, nga një 18-vjeçar, i cili më pas është qëlluar për vdekje nga policia.
Në fillim të këtij muaji, Paty u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed, në një orë për lirinë e shprehjes, duke zemëruar një numër të prindërve myslimanë.
Myslimanët besojnë se çdo përshkrim i Profetit është blasfemi.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se një qytetar është vrarë, “sepse ishte mësues dhe mësonte lirinë e shprehjes”.
“Ata nuk do të fitojnë… Ne do të veprojmë”, ka thënë Macron teksa ka vizituar vendin ku ka ndodhur vrasja.
Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se e dënon atë që e ka konsideruar si akt kriminal kundër mësuesit francez dhe se angazhohet që besimet të mos përdoren për urrejtje dhe mosdurim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri.
Top Channel