Rastet e koronavirusit po rriten shpejt në shumë pjesë të Evropës dhe Amerikës së Veriut, çka sinjalizon fillimin e një vale të re të kësaj pandemisë.
Numri i rasteve të reja të konfirmuara rritet veçanërisht shpejt në SHBA, Britani, Itali dhe Belgjikë, por rritja nuk është e kufizuar në këto vende. Rreth gjysma e vendeve në rajonin evropian ka parë një rritje prej 50 përqind të rasteve javën e kaluar – thotë drejtori ekzekutiv për emergjencat shëndetësore në OBSH, Mike Ryan.
Rritja, sipas ekspertëve vjen pjesërisht për shkak të rënies së temperaturave në hemisferën veriore dhe qëndrimin më shumë në ambiente të mbyllura ku virusi përhapet lehtë. Por për Ryan, ka edhe një neglizhencë në strategjinë e luftës ndaj virusit që përbën shkak madhor përse në vende të caktuara ai nuk po zhduket. Përvec maskës, larjes së duarve dhe distancimit social, ka edhe një masë tjetër të rëndësishme në luftën kundër virusit dhe parandalimin e më shumë viktimave, dhe për këtë nuk po bëhet aq sa duhet.
Largojini njerëzit e ekspozuar ndaj virusit nga të tjerët dhe bëjeni këtë shpejt – thotë Ryan. Ky koncept, i njohur si karantinë, është thelbësor sipas Ryan për të përmirësuar situatën e pandemisë. Karantina funksionon – thotë ai.
Por SHBA dhe Evropa nuk po bën aq sa duhet për momentin.
“Nëse e dini se keni qenë në kontakt me një rast, duhet të futen menjëherë në karantinë të plotë, në shtëpi, pa kontaktuar me të tjerë”, thotë Ryan.
Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve rekomandon 14 ditë qëndrimi në shtëpi për këdo që ka qenë në kontakt me të tjerë që kanë rezultuar pozitiv për Covid-19, vetëm nëse vetë ata nuk e kanë patur virusin gjatë tre muajve të shkuar. Karantina pengon njerëzit që mund ta mbajnë virusin, pa e ditur që t’ua kalojnë të tjerëve. E kjo funksionon mirë pasi nëse dikush ka virusin dhe qëndron i mbyllur në shtëpi, askush tjetër nuk e merr dhe zinxhiri ndërpritet. Pikërisht kjo sipas ekspertëve, justifikon suksesin e arritur në Zelandën e Re, Korenë e Jugut, por edhe në Kinë.
Top Channel