Makthi i COVID-19 vazhdon të përndjekë Napolin. Fillimisht me pozitivitetin e lojtarëve të tillë si Zielinski dhe Elmas, më pas takimi i pazhvilluar me Juventusin (napolitanët humbën ndeshjen në tavolinë dhe -1 pikë nga klasifikimi) dhe tani sfida e Europa League-s përballë Az Alkmaarit.

Lajmi për shpërthimin qe një vatre në ekipin holandez (9 lojtarë pozitivë me Koronavirus), kundërshtari i radhës së formacionit të Rino Gattusos në Europë, ka shqetësuar ambientin napolitan. Ka reaguar madje edhe këshilltari për Sportin në krahinën e Campanias, Ciro Borriello, pa dyshim i shqetësuar për ardhjen e Az Alkmaarit në Napoli.

“Kemi nevojë për sjellje të përgjegjshme. AZ duhet të futet në karantinë dhe loja duhet të shtyhet”.

Por kujdes, me UEFA-n nuk mund të bëhet shaka, ndryshe nga ç’po ndodh në Itali, sidomos me debatin e ndeshjes së pazhvilluar Napoli-Juventus. Qeveria e futbollit europian nuk lëviz një milimetër nga indikacionet e saj. Protokolli është i qartë: ndeshja duhet të zhvillohet nëse nuk janë më shumë se 13 të infektuar.

Është e sigurt gjithashtu që deklarata e Borriellos nuk duhet të nënvlerësohet:

“Mendoj se Bashkia mund të ndërhyjë, por nëse ndërhyn ASL (Autoriteti Lokal Shëndetësor) e Napolit, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodh”. Me pak fjalë, po përsëritet e njëjta situatë: ligjet e shtetit nga njëra anë, ato të futbollit nga ana tjetër dhe në mes përsëri Napoli i Gattusos.

Në radhët e Az Alkmaarit, asnjë shqetësim. Skuadra holandeze ka luajtur rregullisht në kampionat, është stërvitur rregullisht dhe do të niset, siç është planifikuar, drejt Napolit, për të luajtur të enjten kundër skuadrës së Gattusos. Sigurisht nëse Autoritet Shëndetësore Lokale (ASL) nuk bëhen sërish protagoniste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA