Militantët islamistë çlirojnë 1,300 të burgosur pas sulmit ndaj kampit në RD Kongo

20/10/2020 18:09

Kryebashkiaku tha sot se sulmi i njëkohshëm ndaj burgut kryesor të Kangbayi dhe kampit ushtarak pranë tij, u krye nga ekstremistët e grupit ADF.

Luftëtarë të armatosur kanë çliruar sot rreth 1,300 të burgosur në Beni, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Vetëm 100 të burgosur kishin mbetur pas ofensivës ndaj institucionit dhe kampit ushtarak që kishte përgjegjësi për sigurinë, tha kryebashkiaku Modeste Bakwanamaha, i cili fajësoi grupin e ekstremistëve që vepron në zonë. Ai shtoi se rreth 20 nga të burgosurit ishin kthyer me dëshirën e tyre.

“Për fat të keq, sulmuesit që erdhën në numra të mëdhenj, thyen dyert e hyrjes me pajisje elektrike dhe morën kontrollin e institucionit,” tha Bakwanamaha për agjencinë Reuters.

Ende asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin por Bakwanamaha tha: “Ne besojmë se kjo është kryer nga grupi ADF.”
Dy të burgosur u vranë gjatë sulmit, i cili nisi rreth orës 4.30 të mëngjesit të sotëm.

Grupi militant ADF vepron në lindje të republikës Demokratike të Kongos prej viteve 1990-të dhe ka vrarë qindra civilë vetëm në 2019, sipas shifrave të OKB.

Burgu i Kangbayi mbante të burgosur të ndryshëm duke përfshirë dhe luftëtarë të kapur të ADF. Bakwanamaha tha se kishte pasur zhurma se anëtarët e ADF brenda burgut po përgatiteshin për një arratisje, në ditët para sulmit.

Shumë sulme të ADF janë pretenduar gjithashtu edhe nga ISIS, edhe pse ekspertët e OKB thonë se nuk kanë zbuluar lidhje direkte mes të dyjave. Një vit më parë ushtria e RD Kongo nisi një fushatë sulmesh ndaj grupit dhe si rezultat ADF braktisi disa baza dhe u shpërnda në fraksione të vogla e të lëvizshme.

FOTO GALERI
1/5
Vetëm 100 të burgosur kishin mbetur pas ofensivës ndaj institucionit dhe kampit ushtarak

Top Channel