Personat me grup gjaku A janë më në rrezik infektimi nga koronavirusi, të ndjekur nga ata me grup gjaku AB që duket se sëmuren më rëndë.
Ndërsa personat me grup gjaku 0 janë më pak vulnerabël ndaj Covid-19. Në këto përfundime kanë dalë analizat e kryera në të dyja anët e Atlantikut nga disa ekipe shkencëtarësh që kanë studiuar popullata të ndryshme. Rezultatet, për lidhjen mes llojeve të ndryshme të gjakut dhe rreziqeve për të marrë Sars Cov 2 janë publikuar në revistën e specializuar Blood Advances.
Teoria në fakt qarkullon prej disa muajsh, mbi bazën e disa studimeve më të vogla, por tani, ajo është përforcuar. Grupi i gjakut ndikon kështu jo vetëm në nivelin e rrezikut për t’u prekur nga Covid-i, por edhe te probabliteti për ta zhvilluar infektimin në mënyrë të rrezikshme ose jo.
Studimi i parë është kryer në Danimarkë mbi 7422 qytetarë pozitivë me koronavirus dhe është vëzhguar atje se personat me grupin e gjakut zero ishin më pak të prekur se ata të grupit A. 38.4 përqind e të sëmurëve ishte me grup gjaku zero, grup të cilit i përket 41.7 përqind e popullatës daneze. 44.4 përqind e të infektuarve kishte grupin A, që në nivel popullate globale përfaqëson 42.4 përqind. Të tjera studime janë kryer në Kanada, Itali dhe Spanjë.
Top Channel