Kryebashkiakja e Romës ka urdhëruar hetime pasi një familje derrash të egër u vranë nga autoritetet pranë një parku lojrash për fëmijë.
Nëna derrkuce dhe gjashtë këlyshët e saj kishin hyrë të premten në parkun pranë Vatikanit, në qendër të Romës dhe fëmijët kishin nisur t’i ushqenin.
Por kur policia erdhi në vend ata qëlluan derrat me qetësues dhe më pas u bënë injeksione fatale.
Vrasjet shkaktuan zemërim të gjerë mes rezidentëve dhe grupeve për të drejtat e kafshëve.
“U vendos me shpejtësi për vrasjen e kafshëve që ishin strehuar në parkun e lojrave Aurelio, në vend që të shpëtoheshin jetët e tyre sipas alternativave që ishin ofruar”, thuhej në një deklaratë të Organizatës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Kafshëve.
“Ne ofruam kapjen, transferimin dhe strehimin e kafshëve,” tha Michela Brambilla, deputete e parlamentit që drejton një bamirësi kafshësh. “Unë propozova një zgjidhje pa gjak”.
Në argumentimin e tij një zyrtar i qeverisë lokale tha se vendimi për eliminimin e kafshëve u mor pasi nuk kishte kafazë për t’i vendosur.
Bashkia e qytetit pritet tashmë të ekzaminojë arsyet e vendimit për të vrarë kafshët.
Derrat e egër besohet se hynë në parkun Mario Moderni nga perëndimi i qytetit pasi ishin tërhequr nga kazanët e mbeturinave. Policia kishte rrethuar prej të enjtes zonën por fëmijët vazhdonin t’i ushqenin ata nga vrimat në gardh.
Pas aktit të së premtes pati konfrontime mes policisë dhe qytetarët pranë parkut. Kur zyrtarët erdhën me pushkë ajri për të qëlluar qetësuesit, qytetarët thërrisnin “Vrasës!”
Protestues u mblodhën në zonë në fundjavë dhe tufa me lule e shënime dashamirese ishin vendosur në skenën e vrasjes së kafshëve.
Derrat e egër shihen shpesh në Romë dhe shumicën e Italisë. Ata janë shpesh problem për shkaktimin e aksidenteve rrugore.
Top Channel