Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, ku disa mësues rezultuan me COVID-19 dhe disa të tjerë u karantinuan ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.
Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se mësimi në shkollën në fjalë po vijon normalisht.
“Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social. Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme. Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave”, thuhet në komunikatë.
Top Channel