Pas deklaratës së sotme të Presidentit Ilir Meta, i cili tha se kryeministri është peng, ndërsa ai vetë është Komandanti i Forcave të Armatosura dhe ushtari i parë në mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës ka reaguar Edi Rama.

“Ilir ti je thjesht Komandant i LSI sepse Shqipëria nuk është në luftë dhe në kohë paqe Forcat e Armatosura nuk janë nën komandën e Presidentit të Republikës, i cili sipas Kushtetutës nuk komandon asgjë dhe askënd, po mishëron unitetin kombëtar dhe jo dasinë, sherrin, degradimin!”- shkruan Rama në Twitter.

Më herët, Meta u shpreh:

“Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territori i askujt; është detyra e parë e presidentit të Republikës, i cili s’është vetëm komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por është ushtari i parë i Republikës, këtë duhet ta dijë kushdo. Ka ardhur koha që të verifikohet ndershmëria e patriotizmi i çdo politikani por mund të vijë edhe e cdo qytetari. Le ta dinë të gjithë edhe armiqtë e Shqipërisë se do e marrin përgjigjen aty ku nuk u shkon mendja. Boll i futën duart e tyre të zeza këtu, për të na bërë një vend gazi i botës. Ndërsa atij zotërisë i them përpiqu të bësh aq sa bëri Izetbegoviçi ku e morën peng. Thuaj popullit tënd që jam peng e vazhdo punën tënde, se këtë popull e këtë vend nuk e merr askush peng më nën këtë qiell e mbi këtë tokë. Tani do intensifikohen këto komunikimet pyetjet ruajini për të premten nëse nuk ka ndonjë zhvillim të ri”, u shpreh Meta.

Top Channel