E shtuna e futbollit! Spikasin Inter – Milan dhe Manchester City – Arsenal

17/10/2020 11:33

Admiruesit e futbollit evropian do të kenë mundësinë që të argëtohen këtë të shtunë, teksa në program janë një sërë sfidash të rëndësishme ku spikat derbi i Madonninës në Serie A mes Interit dhe Milanit.

Është një sfidë që ndryshe nga herët e tjera do të ndjejë mungesën e tifozëve e sidomos koreografive spektakolare dhe plot fantazi që ata përgatisin. Inter-Milan do të jetë përballja e Lukakut e Ibrahimovic, por edhe dy trajnerëve Conte e Stefano Pioli. Ky i fundit do të kërkojë të thyejë një tabu, të fitojë një ndeshje derbi pasi nuk e ka arritur këtë as në Romë, kur ishte trajner i Lazios dhe as në Milano.

Kjo e pasdites së sotme është ndeshja e 226 zyrtare mes Interit e Milanit me zikaltrit që kryesojnë bilancin me kuqezinjte me 82 fitore kundrejt 76 humbjeve, ndërkohë që 67 ndeshje janë mbyllur në barazim. Por Conte në këtë ndeshje ka probleme me skuadrën me disa prej lojtarëve të tij që janë prekur nga Covid-19 dhe që nuk do të jenë të pranishëm në këtë përballje. Ky sezon ka nisur mjaft mirë për Milanin që është në krye të renditjes me 9 pikë të plota pas 3 ndeshjeve, ndërkohë që Interi është në kuotën e 7 pikëve.

Ndërsa në Premier League, këtë pasdite vëmendja do të jetë te sfida mes Manchester City dhe Arsenalit në Etihad Stadium. Skuadra e Citizens nuk është aspak në një moment të mirë, teksa në 3 ndeshje të zhvilluara ka grumbulluar 4 pikë, ndërkohë që Arsenali është me 9 pikë pas 4 ndeshjeve. Për më tepër kjo përballje do të jetë edhe ajo e pankinave, teksa Guardiola do të jetë përballë Mikel Artetës, të cili e ka pasur asistentin e tij deri përpara disa muajsh. Shqetësimi më i madh për Manchester City është mungesa e De Bruyne për shkak të një dëmtimi muskular, por Citizens duket se do të kenë Aguerion që nuk luante që nga muaji qershor.

Manchester City dhe Arsenali herën e fundit që janë përballur mes tyre ka qenë në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë me Topçinjtë e fituan 2-0 në atë ndeshje e më pas edhe trofeun, pasi mundën në finale Chelsean. Të dyja këto supersfida të dy prej kampionateve më të rëndësishme në Evropë do të transmetohen në platformën DigitAlb.

Top Channel