Policia e Egjiptit ka arrestuar një nga të paktën tre të dyshuarit e përfshirë në vrasjen e një vajzë të re në Kairo, në një incident të rëndë që ka ndezur protesta në të gjithë vendin musliman afrikano-verior.
Prokurorët thanë se viktima –e identifikuar vetëm si Mariam, me moshë në të 20-at – u vra teksa kthehej në shtëpi nga puna në zonën Maadi, të kryeqytetit Kairo.
Sipas hetuesve, burrat që udhëtonin me një furgon të bardhë, u përpoqën të grabisnin të renë. Ata i kapën viktimës çantën, duke e tërhequr zvarrë edhe atë, derisa vajza u përplas me një makinë të parkuar, raportojnë mediat egjiptiane.
Një ambulancë që erdhi 30 minuta pas incidentit e gjeti gruan e re të vdekur. Mediat thanë se ajo kishte pësuar plagë të rënda në kokë, fraktura dhe lëndime në të gjithë trupin.
Incidenti u raportua fillimisht si sulm i mundshëm seksual nga disa media, dhe kjo solli zemërim të gjerë në Egjipt, ku debati për krimet e seksit është intensifikuar ndjeshëm.
Pas incidentit, shoqata kryesore fetare në vend Dar al-Iftaa, theksoi nevojën e goditjes së krimeve seksuale.
“Ata që ngacmojnë gratë me fjalë ose me veprime janë kriminelë që meritojnë dënim si në këtë botë dhe në të përtejshmen”, thuhej në deklaratën e tyre.
Top Channel