Një mbledhje e presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës ka krijuar paqartësi në lidhje me shqyrtimin e njohjes së Kosovës nga ana e Bosnjës.

Pas mbledhjes së mbajtur më 15 tetor, anëtarët e presidencës trepalëshe kanë mbajtur ndaras konferencë për media, duke shprehur qëndrime të ndryshme.

Anëtarët e presidencës, Shefik Xhaferoviç dhe Zhelko Komshiç thanë se nuk kishte vendim për çështjen e njohjes së Kosovës, ndërsa anëtari tjetër, Millorad Dodik pretendon se anëtarët e presidencës, gjatë takimit, kanë refuzuar njohjen e Kosovës.

Xhaferoviç theksoi se nuk ka asnjë vendim për Kosovën në Bosnje dhe Hercegovinë, derisa të arrihet një konsensus, dhe se në ftesën për mbajtjen e takimit ai nuk e ka vendosur si pikë të rendin e ditës shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Ai tha se anëtari i presidencës, Zhelko Komshiç, e tërhoqi atë pikë nga rendi i ditës.

“Dodik këmbënguli që ajo të jetë në rendin e ditës, Komshiç e tërhoqi atë pikë nga rendi i ditës, dhe pastaj Dodik kërkoi një votë për të, edhe pse pika ishte tërhequr. Nuk kishte asgjë për të votuar”, tha Xhaferoviç, duke shtuar se në fund, Dodik votoi kundër, ndërsa Komshiç dhe ai nuk votuan fare.

Nga ana tjetër, Dodik pretendon se anëtarët e presidencës refuzuan ta njohin Kosovën.

Dodik tha se në seancën e mëparshme, me iniciativën e anëtarit të presidencës, Zhelko Komshiç, u votua për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe se rezultati ishte dy vota pro dhe një kundër.

Dodik e kishte fjalën për seancën e 17 shtatorit.

Sipas tij, një votim i tillë do të thotë se në seancën e ardhshme, ajo çështje duhet të vendoset në rend të ditës për një vendim të ri.

“Komshiç u përpoq ta tërheq propozimin e tij të mëparshëm, por nuk ishte e mundur sepse propozimi nuk ishte më në formën e një propozimi të një anëtari të presidencës, por ishte një vendim i presidencës, në seancë duhej të votohej për të”, tha Dodik.

Ai tha se Komshiç nuk votoi, ndërsa Xhaferoviç abstenoi dhe se ai ka qenë kundër.

Sipas Dodikut në thelb, por edhe zyrtarisht dhe ligjërisht, Bosnje dhe Hercegovina nuk e njohu Kosovën.

“Ajo refuzoi njohjen e Kosovës”, tha Dodik.

Ai beson se ky është një fakt formal-juridik dhe një vendim që do të jetë i detyrueshëm për veprimet e të gjitha organeve.

Komshiç i tha agjencisë së lajmeve Fena se “nuk ka asnjë vendim në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nëse ka, atëherë duhet të tregohet nga anëtari Dodik, por ai nuk do ta bëjë këtë sepse nuk e ka”.

Për herë të parë, presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës (BiH) votoi për propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme më 17 shtator.

Në atë kohë, anëtari i presidencës, Dodik ishte kundër dhe dy anëtarët e tjerë, Zhelko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç, votuan pro.

Xhaferoviç në atë kohë tha se propozimi do të shkonte në raundin e dytë të votimit, në seancën e ardhshme të presidencës.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe Bosnja dhe Hercegovina, së bashku me Serbinë, nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit.

Bosnje dhe Hercegovina ka njohur pasaportën e Republikës së Kosovës si një dokument të vlefshëm, por qytetarëve të Kosovës u duhet një vizë për të hyrë në Bosnje.

Edhe Kosova ka vendosur masa reciprociteti mbi regjimin e vizave me Bosnje dhe Hercegovinën. rel/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA