Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, duke përfshirë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të shfrytëzojë rastin e rimëkëmbjes ekonomike për të përshpejtuar reformat ekonomike, në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës.
Kështu thuhet në një komunikatë të zyrës së BE-së në Kosovë, ku njoftohet se është zhvilluar takimi i katërt i Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, që u zhvillua virtualisht më 15 tetor.
Takimi u bashkëkryesua nga Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe Artan Çollaku, drejtor i Departamentit për Koordinim të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, nga Qeveria e Kosovës.
“Komiteti për Stabilizim-Asociim diskutoi zhvillimet kyçe politike të kohëve të fundit dhe mori në konsideratë gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA). Takimi vlerësoi dhe aprovoi rezultatet e shtatë takimeve nën-komiteteve dhe të një takimi të Grupit të Posaçëm, të cilat ishin mbajtur gjatë vitit të kaluar. Gjatë diskutimeve, u vlerësua përparimi në fushat përkatëse të Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së në fusha të tilla si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe arsimi. Takimi diskutoi prioritetet e reformave në fusha që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike. Komisioni Evropian mirëpriti që Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në qershor 2020, ka konfirmuar angazhimin strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe ka lejuar rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë. Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, duke përfshirë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të shfrytëzojë rastin e rimëkëmbjes ekonomike për të përshpejtuar reformat ekonomike, në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës. Në këtë drejtim, Komisioni mirëpriti lansimin e një faze të dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ARE), dhe u shpreh se është në pritje të Planit të Veprimit përkatës të qeverisë. Komisioni e inkurajoi qeverinë që të angazhohet me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë nga opozita, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi politik për vendimet që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane, si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë.
Në takim u përvijua rëndësia e përafrimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kyç, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal.
Palët shpresojnë të diskutojnë më tej mbi përparimin e bërë në këto fusha kyçe gjatë Këshillit të ardhshëm për Stabilizim Asociim.
Top Channel