Zhduket aplikacioni që ofronte qasje kibernetike globale për qytetarët e Kinës

15/10/2020 05:15

Një aplikacion i ri për celularë, i hedhur në treg javën e kaluar në Kinë, që shumë njerëz shpresonin se do t’u lejonte qasje në faqet e ndaluara prej kohësh të mediave sociale perëndimore, u zhduk papritur, një ditë pasi u bë publik. Tuber, një aplikacion për platformën Andriod, i mbështetur nga gjigandi kinez i programeve kibernetike të sigurisë Qihoo 360, u shfaq fillimisht si i disponueshëm për t’u shkarkuar të premten e kaluar. Aplikacioni u ofronte qytetarëve kinezë qasje të kufizuar në faqet elektronike si YouTube, Facebook dhe Google, dhe u përdor për rreth 5 milionë shkarkime pas debutimit të tij.

Por një ditë më pas, aplikacioni Tuber u zhduk nga dyqanet virtuale të aplikacioneve për celularët, përfshi edhe atë të drejtuar nga kompania Huawei. Një kërkim për faqen e aplikacionit në internet nuk dha asnjë rezultat kur Zëri i Amerikës kontrolloi për të të hënën. Nuk është e qartë nëse qeveria urdhëroi heqjen e aplikacionit. Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se veprime të tilla bëhen ndonjëherë për të krijuar iluzionin e alternativave për përdoruesit e etur për qasje në rrjetin global të internetit, por këto programe, që synojnë të anashkalojnë kufizimet e vendosura nga qeveria, ndonjëherë hiqen nga autoritetet nëse shihet se ato janë shumë të kërkuara nga konsumatorët.

Ngazëllim jetëshkurtër
Përdoruesit kinezë arritën të shijojnë për një kohë të shkurtër mundësinë e re për të vizituar faqet e internetit të ndaluara prej kohësh, përpara se aplikacioni të hiqej të shtunën e kaluar. Disa artikuj, tashmë të ndaluar që prezantonin aplikacionin Tuber, u bënë virale të premten në platformën kineze WeChat dhe duket se kontribuan në suksesin e shpejtë të aplikacionit Tuber. Duke përdorur një logo të ngjashme me atë të YouTube-it, faqja kryesore e aplikacionit Tuber ofroi një burim videosh në YouTube, ndërsa një tjetër faqe i lejonte përdoruesit të shkonin në faqet perëndimore të ndaluara në Kinë.

Një gazetare në median shtetërore kineze Global Times shkruajti në Twitter se kjo ishte një mundësi “e mirë për stabilitetin e Kinës dhe është një hap i shkëlqyer për hapjen e Kinës”.

Përdoruesit vunë re, megjithatë, se aplikacioni erdhi me censurimin e vet të përfshirë në të. Sipas një kontrolli të bërë nga agjencia Reuters, referencat për çështje të ndjeshme politike, të tilla si ngjarjet në Sheshin Tiananmen në vitin 1989 dhe protestat më të fundit të Hong Kongut, nuk u lejuan. Sipas kompanisë TechCrunch, kërkimet në YouTube për fjalë kyçe politikisht sensitive të tilla si “Tiananmen” dhe “Xi Jinping” nuk dhanë asnjë rezultat në aplikacion.

Disa kushte në marrëveshjen e përdoruesve ngritën gjithashtu shqetësime mes vëzhguesve. Sipas kushteve të përdorimit të aplikacionit, platforma mund të pezullonte llogaritë e përdoruesve dhe të ndante të dhënat e tyre “me autoritetet përkatëse” nëse ata “shfletonin ose shpërndanin në mënyrë aktive” përmbajtje që shkel kushtetutën, rrezikon sigurinë dhe sovranitetin kombëtar, përhap thashetheme, prish rendin civil ose shkel ligje të tjera lokale.

Përveç kësaj, në kushtet e përdorimit theksohej mbledhja e të dhënave personale rreth përdoruesve që lidhen me sigurinë kombëtare, sigurinë publike dhe shëndetin publik pa kërkuar autorizimin e përdoruesve. Ndërkohë, përdoruesit e aplikacionit duhet të regjistroheshin përmes një numri telefonik kinez, që është i lidhur me identitetin e një personi dhe lejon gjurmimin e vendndodhjes së tij përmes rrjetit GPS. Sipas kompanisë TechCrunch, që nga heqja e tij të shtunën e kaluar, ata që e shkarkuan aplikacionin morën një mesazh se Tuber “po bën një përmirësi të sistemit”.

Nuk është përpjekja e parë
Sarah Cook, analiste për Kinën, Hong Kongun dhe Tajvanin në organizatën Freedom House, i tha Zërit të Amerikës se qasja e shkurtër në një aplikacion të ri mund të jetë një mënyrë për qeverinë kineze për të krijuar “iluzionin e alternativave” për individët që duan të përdorin internetin, posaçërisht për komunikimet që nuk janë të ndjeshme. “Duke lehtësuar dhe kontrolluar hyrjen, Partia Komuniste Kineze është në gjendje të sigurojë që kërkimet në internet të mbeten brenda kufijve të miratuar,” tha ajo.

Tuber nuk është aplikacioni i parë në Kinë që u përpoq t’u siguronte shtetasve kinezë qasje në internetin që përdoret në perëndim, megjithëse pak kanë tërhequr një vëmendje të tillë. Rreth një vit më parë, u bë një përpjekje e ngjashme me një aplikacion të quajtur Kuniao që u miratua nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës. Ai pretendonte të lejonte përdoruesit të anashkalonin censurën e internetit, megjithëse kritikët thanë se ai thjesht zvogëloi fushën e censurës, në vend që të lejonte njerëzit të anashkalonin plotësisht kontrollet.

“Por Brenda dy ditësh nga publikimi, faqja elektronike Kuniao ishte jo funksionale nga kërkesat e shumta dhe shpejt u bllokua tërësisht. Një bloger kinez që ka ndjekur pengesat e qeverisë kineze për qasjen në internet dhe i cili kërkoi të mbetej anonim nga frika e hakmarrjes nga qeveria i tha Zërit të Amerikës se lëvizjet e fundit janë domethënëse. Blogeri tha se fati i aplikacioneve Tuber dhe Kuniao tregon se qeveria është gjithnjë e më e paaftë për të kontrolluar mjetet e sofistikuara që anashkalojnë pengesat e qasjes në rrjet, duke përfshirë shërbimet e disponueshme komerciale VPN (rrjeti privat virtual) dhe mjetet e zhvilluara nga amatorë të njohur të teknologjisë.

“Qeveria ka lejuar aktualisht një numër të konsiderueshëm aplikacionesh që lejojnë kërkimin në internet,” tha blogeri. “Këto e ndihmojnë qeverinë të arrijë një fare monitorimi mbi përdoruesit krahasuar me ata që përdorin shërbimet me VPN..”Këto aplikacione janë jashtëzakonisht funksionale kur përdoren brenda grupeve të kufizuara. Por kur ato bëhen tepër të popullarizuara, në mënyrë të pashmangshme që qeveria do të ndërhyjë”, tha blogeri, duke shtuar se nuk do të ishte për t’u habitur të shihnim mjete të ngjashme që do të dilnin së shpejti./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA