Këtë të enjte ka hyrë në fuqi Akti Normativ për masat e reja anticovid, ku maskat janë të detyrueshme në çdo ambient jashtë banesës.
Akti mban firmën e kryeministrit Rama, ministrave Lleshaj e Manastirliu, ndërsa thekson se maska mbrojtëse bëhet e detyrueshme jashtë ambienteve të shtëpisë si një masë kundër përhapjes të mëtejshme të virusit vrastar Covid-19.
Sipas këtij akti normativ në rast shkeljeje të rregullit qytetarët gjobitem me 3 mijë lekë, ndërsa në rast përsëritje gjoba shkon në 5 mijë lekë.
“Te drejten e dhenies se mases administrative për mosperdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake sipas modelit te gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i kundravajtjes administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të kundravajtjes administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për energjinë, ministrisë përgjegjëse për financat dhe ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”,- theksohet në vendimin e qeverisë.
Top Channel