Besnik Lamçe, Qemal Kaçi, Ermal Lila (Reçi), Vehap Shehu, janë katër personat që u duhet të justifikojnë pasurinë e tyre pasi Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë.
Besnik Lamçe., banues në Tiranë, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja me armë”;
Qemal Kaçi., banues në Burrel, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
Ermal Lila (Reçi)., banues në Peshkopi, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (vrasja e funksionarëve publikë);
Vehap Shehu., banues në Fushë Bulqizë, Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Top Channel