Duke filluar nga dita e nesërme, datë 15 Tetor, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë.
Ndërkohë është botuar në Fletoren Zyrtare akti normativ i qeverisë që e bën të detyrueshme mbajtjen e maskës si edhe sanksionet financiare. Akti është miratuar në datën 12 Tetor dhe është botuar sot.
“Barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë nga çdo individ. Individët, të cilët përjashtohen nga ky rregull, përcaktohen në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik. Instituti i Shëndetit Publik nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën e përdorimit të barrierës mbrojtëse (maskës) jashtë shtëpisë.
Mospërdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën 3 000 (tre mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike.
Mënyra e ekzekutimit të masës administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët
të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.” thuhet në akt.
Top Channel