Manjani: Meta një president jashtë formatit institucional, Basha duhet të shfaqet, Ambasadoret të shkojnë në rolin që u takon

13/10/2020 20:31

Në studion e emisionit “Top Talk”, ishte i ftuar ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Gjatë fjalës së tij ai i bëri një panoramë të gjerë situatës politike në Shqipëri, ku foli mbi rolin e ambasadorëve, të presidentit Meta dhe qëndrimin e mbajtur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
“Ambasadorët e huaj në Republikën e Shqipërisë kanë me shtetin Shqiptar një tekst unik që e kanë të gjithë njësoj.

Çfarë dua të them me këtë? Si Ambasadori Rus si Ambasadori Amerikan njësoj i kanë marrëveshjen me Shqipërinë, si Ambasadori Kinez si Ambasadori i Iranit ai që u përzu, të njëjtën rol kanë në Shqipëri. Nuk e kuptoj se disa kanë më shumë privilegje më shumë se sa të tjerët. Kjo është një gjë që nuk i shkon, këto janë çështje, puro shqiptare të brendshme, që askush, asnjë shtet normal nuk i pranon që të jenë pjesë e diskutimeve apo vendimeve nga ambasadat e huaja, kjo është një gjë e pa diskutueshme sipas pikëpamjes time. Nuk është fare e dobishme që ambasadorët të rreshtohen pro apo kundër një force apo grupimi politik, pasi nuk është ky qëllimi i ambasadorëve të huaj të akredituar në një shtet tjetër”, u shpreh Manjani.
Ish-ministri tha se në planin politik lëvizjet e presidentit Meta janë të gabuara, pasi ai nuk është duke garuar në zgjedhjet e ardhshme. Ai përmendi dhe Kushtetutën, e cila tregon hapur se presidenti është i pa anshëm. Ndër të tjera, Manjani tha se një politikan si Ilir Meta i mungon politikës shqiptare, kryesisht opozitës.

“Janë tre momente që duhen sqaruar. Së pari në planin politik, kemi hyrë në një fushatë zgjedhore pyetjet që shtrohen janë kush janë palët në këtë përplasje. Kryeministri dhe presidenti, apo pozita dhe opozita. Ky është plani i parë, në kuptimin e palëve në një pozicion politik ky është një konfuzion i madh. (Po Meta çfarë kërkon në këtë rast) Kjo është pyetja në një proces politik kjo është diziorentuese. Kujt i shërben nuk e di. Një gjë është e vërtetë presidenti nuk konkurron në zgjedhje dhe nuk ka çfarë të fitojë apo të humbi. A është detyra e presidentit që të jetë oponencë politike me qeverinë apo opozitën.

Unë mendoj se jo, sepse që nga viti 98-të që ne kemi bërë Kushtetutën që kemi sot ende në letër, ne jemi ndarë nga modeli i presidentit politik. Ne kemi shkuar drejt presidentit apolitik mbi palët. Ne nuk kemi në kushtetutë një president as të opozitës as të pozitës. E treta dhe vijmë tek përgjigja e pyetjes. Politikani Ilir Meta duhet të gjykohet ndryshe. Unë mendoj që në planin ekonomik Ilir Meta ka shumë të drejtë. Pavarësisht gjuhës, agresivitetet, unë nuk futem tek ata njerëz që duhen të përdoren gjërat personale. Unë kam kohë që them se politikani Ilir Meta i mungon skenës politike dhe opozitës shqiptare. Që do të thotë për mua është humbje kohe për mendimin tim karrigia e presidentit”, i shpreh ish-ministri.

Manjani u shpreh se liderët në Shqipëri janë të pakët. Ndër to ai përmendi Sali Berishën dhe Edi Ramën, ndërsa për Bashën tha se ai ka vendosur të paraqesë një figurë komplet tjetër, atë të barazisë.

“Alternativa është gjithmonë e vështirë kur qeveria administron çdo gjë, mediat, administron pushtetet nuk është e lehtë. Në një vend si Shqipëria dhe përgjithësisht në Ballkan të jesh në opozitë është mallkim, nuk të sheh ndonjë me sy të mirë. Kriza e lidershipit politik është pak problem në Shqipëri, liderët janë shumë pak. Njerëz që kanë ndikim në jetën politike dhe publike në vend kanë qenë shumë pak. Lider është Sali Berisha, Edi Rama është lider, nuk mund të pëlqejë politika e tij por është lider. (Denis Dyrnjaja: Lulzim Basha a është lider në këtë rast) Edhe Lulzim Basha thotë duhet të kthehemi tek normalja, jo tek 1-shi jo tek kulti i të fortit. Kjo është alternativa, duhet ta provojmë normalen. Unë jam me atë që thotë politikanët përdorin mediat dhe thonë fute në burg atë tjetrin. E thonë të gjithë atë gjë”, tha Manjani.

Top Channel