Turistja rikthen objektet e vjedhura nga Pompeii pasi vuajti ‘mallkimin’ për 15 vjet

12/10/2020 21:21

Një grua kanadeze ka kthyer së fundmi pesë objekte arkeologjike që kishte marrë pa leje nga Pompeii në vitin 2005, duke thënë se prej tyre kishte vuajtur fat të keq prej 15 vjetësh.

Gruaja e identifikuar vetëm si Nicole, riktheu dy pllaka të bardha mozaiku, dy copa të një vazoje ‘amfora’ dhe një copë muri prej qeramike, në Parkun Arkeologjik të Pompeii, së bashku me një letër ku shpjegonte vendmin e saj.

“Doja të kisha një copë historie që nuk mund të blihej,” shkruan gruaja, e cila shprehet më tej se në kohën e ngjarjes ishte “e re dhe budallaqe”.

Ajo shton se që prej kthimit asokohe në Kanada, kishte pësuar dy herë kancer të gjirit dhe operacionet pasuese, dhe shtonte se familja e saj kishte pësuar probleme serioze financiare.

“Ne duket se nuk po ecim dot përpara në jetë,” shkruante ajo, duke ia vënë për këtë fajin copave të vjedhura arkeologjike.

“Mora një copë historie të mbetur prapa në kohë por ajo kishte aq shumë energji negative në vete. Njerëzit këtu kanë vdekur në mënyrë të tmerrshme dhe unë mora pllakat që ishin të lidhura me atë lloj shkatërrimi”, shkruan ajo, duke iu referuar shpërthimti të vullkanit të Vezuvit aty pranë në vitin 79 p.e.s., i cili shkaktoi shiun e llavës, gazit dhe gurëve të nxehtë mbi Pompeii që varrosi banorët e tij.

Gruaja tregon dhe për një copë që ia kishte dhënë një mikes së saj, të cilit i kishte treguar për vendimin e kthimit të tyre, por thotë se nuk e di sesi ajo do të veprojë.

“Ne jemi njerëz të mirë dhe unë nuk dua të kaloj këtë mallkim te familja ime, fëmijët apo vetja. Ju lutem falni aktin tim të pakujdesshëm që bëra vite më parë”.

Autoritetet e Antiquarit të Pompeii thanë se megjithse objektet nuk kishin vlerë të madhe, letra e turistes ishte interesante nga aspekti antropologjik.

Pompeii është një nga vendet historike më interesante të botës dhe arkeologët ende punojnë në mbetjet e tij. Në shkurt ndërtesa e tij e famshme “Shtëpia e të dashuruarve” u rihap për herë të parë pas 40 vjetëve, pas një projekti të gjerë restaurimi.

Ndërtesa u mbyll për vizitorët në 1980 pas dëmtimeve nga tërmeti, por është rihapur si pjesë e projektit madhor të Pompeii të nisur në 2014 për ruajtjen e qytetit të lashtë.

FOTO GALERI
1/3
Një grua kanadeze ka kthyer së fundmi pesë objekte arkeologjike që kishte marrë pa leje nga Pompeii në vitin 2005

Top Channel