Spikerja Blerta Tafani flet për problemet me ankthin: Mendoja se do vdisja, jam larguar prej studios nga frika!

12/10/2020 18:07

10 tetori njihet në botë si Dita e Shëndetit Mendor.

Emisioni “Ftesë në 5”, drejtuar nga moderatorja Bieta Sulo bëri një panoramë të plotë të kësaj dite, duke sjellë në studio edhe raste konkrete. Një rrëfim tejet interesant erdhi nga spikerja Blerta Tafani. Ajo tha se para disa vitesh vuante nga ankthi e paniku dhe shpesh kaplohej nga frika. Tafani tregoi se nuk mund të shkonte në punë vetëm dhe shpesh i është dashur të largohej pak minuta para transmetimit, pasi kishte frikë se gjatë saj do ta sulmonte ndonjë atak paniku.

Ndër të tjera spikerja e njohur tha se tashmë është shëruar, falë vizitave, mjekimeve dhe ndihmës së psikologut. Ajo bëri apel për të gjithë personat që vuajnë nga probleme të tilla që të kërkojnë ndihmën e psikologëve, për të evituar kështu mjekimet apo vizitat tek mjekët.

“Një periudhë shumë të gjatë nuk shkoja dot vetë në punë. Dikush duhet të më priste. Ndonjëherë më është dashur të ikja shumë pak minuta para transmetimit, pasi kisha frikën se ky ataku i panikut do të më kapte gjatë transmetimit. Në fillimet e mia mendoja se do të vdisja, përjetoja të gjitha simptomat, shqetësimet në zemër dhe marrjen e frymës. Me kohën më pas e kuptova që nuk ishte kjo, u binda që vuaja nga ankthi pasi bëra të gjithë kontrollin, te doktori i zemrës, i kokës e të gjitha këto. Ajo që dua të them sot është që kjo gjë është ta nisësh sa më shpejt. Nëse e kupton që ke ankth duhet të flasësh me psikologun që të mos kalosh tek mjekimi, për mua ishin të nevojshme të gjitha bashkë”, u shpreh spikerja.

Top Channel