Banorë të moshuar të fshatrave të bashkisë së Finiqit si dhe banorë të Sajadhës e Igumenicës në anën greke të kufirit u bënë pjesë e një tubimi publik në hyrje të doganës së Qafë-Botës në Shqipëri dhe të Mavromatit në Greqi me kërkesën e vetme çeljen e kësaj pike kufitare si të rëndësishme për shkëmbimet dhe jetën e banorëve.
Qytetarët e fshatrave të minoritetit grek thanë se jeta dhe shëndeti i tyre është shumë i lidhur me shërbimet që marrin në Greqi ndërsa i kanë bërë thirrje qeverisë greke ta rishikojë këtë vendim.
Edhe krerët e bashkive respektive të Finiqit dhe Igumenicës kanë bërë deklarata në mbështetje të banorëve duke e konsideruar situatën si të papranueshme dhe me efekte serioze në ekonomi dhe shkëmbimet sociale.
Janis Lolos: Jemi këtu për të mbështetur kërkesën tuaj të drejtë. Nuk mund të kemi vendime të ndryshme për disa dogana dhe për atë të Mavromatit të ecet me këtë logjikë ligjore. Kjo doganë duhet të çelet urgjentisht sepse shkëmbimet mes dy komuniteteve të Thesprotisë dhe të bashkisë suaj janë krijuar marrëdhënie sociale, ekonomike dhe vëllazërore. Këshilli i bashkisë së Igumenicës u shpreh me votim unanim të të gjithë anëtarëve për çeljen e pikës kufitare dhe liberalizimin e lëvizjes dhe do ta çojmë zërin tek qeveria qendrore e cila duhet të na marrë parasysh.”
Kristaq Kristo: Dogana e Qagë-Botës u mbyll në muajin korrik. Menjëherë më pas ajo u hap vetëm për mallrat ndërsa tani është e mbyllur për të gjitha komunikimet. Vendimi ishte pjesë e masave anti-Covid të qeverisë greke sipas të cilës të gjitha lëvizjet drejt Greqisë sipas protokollit të posaçëm po kryhen vetëm prej pikëkalimeve të Kakavijes dhe Kapshticës. Vetëm në bashkinë e Finiqit ku 80% e popullsisë gjendet jashtë vendit në emigracion jetojnë rreth 1700 të moshuar të vetmuar me nevoja të shumta shëndetsore.
Top Channel