Përplasje e hapur/ Rusia dëbon diplomatët bullgarë

12/10/2020 16:51

Rusia do të dëbojë dy diplomatë bullgarë gati tre javë, pasi dy pjesëtarëve të stafit të ambasadës ruse në Sofje, të akuzuar për spiunazh iu kërkua të largohen.

Duke e përshkruar veprimin e Bullgarisë si të pabazë, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se e ka thirrur ambasadorin bullgar në Moskë, Atanas Krystin, për ta informuar se dy diplomatë, me seli në Moskë, janë shpallur “persona non grata”.

Të padëshirueshëm ndërkohë i kishin shpallur autoritetet bullgare dy diplomatët rusë në 23 shtator. Akuzat ndaj tyre ishin se kanë mbledhur informacione sekrete shtetërore mbi planet e Bullgarisë për të modernizuar ushtrinë. Por për shkak të imunitetit diplomatik, ndaj tyre nuk ka mundur të vazhdojë procedimi penal.

Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, me lidhje përgjithësisht të mira me Rusinë, e cila e furnizon atë me energji. Sofja, edhe në janar, deboi dy diplomatë rusë, nën dyshimet se kishin kërkuar informacione të klasifikuara.

Top Channel