Australia planifikon rihapjen me Korenë e Jugut dhe Japoninë

12/10/2020 10:16

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka bërë të ditur se vendi i tij po planifikon të rifillojë udhëtimet ndërkombëtare me vendet me “rrezik të ulët” të koronavirusit të ri (COVID-19), përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Duke folur në Seven News TV, Morrison tha se foli me liderët e Paqësorit dhe ata u pajtuan të rifillojnë udhëtimet pa u karantinuar pasi qeveritë e tyre të jenë të sigurtë se udhëtarët australianë nuk përbëjnë rrezik virusi për vendasit.

“Ne duam të sigurohemi që të mos marrim asnjë transmetim COVID-19 në ato komunitete të ishujve paqësorë. Sistemet e tyre shëndetësore janë të ndryshme dhe ne duhet të kemi shumë kujdes për këtë rrezik”, tha Morrison.

Kryeministri australian tha se ai po ashtu ka folur me liderët e Koresë së Jugut dhe Japonië ndërsa kryediplomati australian ka qenë në kontakt me Singaporin.

Megjithatë, ai përjashtoi rifillimin e ndonjë udhëtimi të hershëm me Evropën dhe SHBA-të.

“Ju vetëm duhet të shikoni se çfarë po ndodh në Evropë në këtë moment kur ata po kalojnë një valë të tmerrshme të mëtejshme të virusit COVID-19 dhe natyrisht ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për këtë”, tha Morrison.

Javën e kaluar, Australia njoftoi se do të hapë kufirin me Zelandën e Re dhe nga 16 tetori do të lejojë këtë vend të hyjë në Uellsin e Ri Jugor dhe Territorin Verior.

Megjithatë, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ende nuk i ka lejuar australianët të vizitojnë vendin e saj, duke paralajmëruar qytetarët e vendit të saj që dëshirojnë të vizitojnë Australinë se ata do të duhet të vetë-karantinohen pas kthimit.

Në raportin e fundit, Australia raportoi 15 raste të reja të koronavirusit, pa asnjë vdekje të regjistruar. Ky vend deri më tani ka raportuar gjithsej 27.264 raste, përfshirë 898 vdekje dhe 24.855 të shëruar.

Top Channel