Beatles-at e IS-it deklarohen të pafajshëm gjatë seancës gjyqësore në SHBA

10/10/2020 12:58

Dy militantë të Shtetit Islamik (IS) nga Britania janë deklaruar të pafajshëm, gjatë paraqitjes së tyre në një gjykatë amerikane më 9 tetor. Ata po akuzohen nga autoritetet amerikane për vrasjen e katër pengjeve amerikane.

Alexanda Kotey 36 vjeç dhe El Shafee Elsheikh 32-vjeçar, akuzohen se kanë qenë pjesë e qelizës së IS-it të njohur si “The Beatles”.

Ata u sollën në SHBA nga Iraku dhe po përballen me akuza për përfshirjen në vrasjen e gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff dhe për vrasjen e punëtorëve të ndihmës, Peter Kassig dhe Kayla Mueller.

Kotey dhe Elsheikh po përballen me tetë akuza si “pjesëmarrës kryesorë në një skemë brutale të pengmarrjes” që rezultoi në vdekjen e pengjeve perëndimore.

Grupi që këta dy të akuzuar i përkisnin, ishte i njohur për prerjen të kokave, tortura dhe trajtim barbar të pengjeve. Këta militantë filmonin torturat ndaj pengjeve dhe i përdornin këto video si propagandë për grupin militant, Shteti Islamik.

Në aktakuzë përfshihet edhe akuzat e pengmarrjes së rezultojnë në vdekje dhe vrasjen e shtetasve amerikan jashtë SHBA-së.

Ata u deklaruan të pafajshëm gjatë seancës së mbajtur në Gjykatën Federale në Aleksandria, Virgjinia.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për 15 janar.

Përveç vdekjes së katër amerikanëve, Elsheikh dhe Kotey gjithashtu dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e dy britanikëve dhe disa pengjeve të tjera.

Britani ua ka hequr shtetësinë dhe ka lejuar transferimin e tyre në SHBA, pasi autoritetet amerikane siguruan Londrën zyrtare se ndaj tyre nuk do të kërkojnë dënim me vdekje. Nëse gjenden fajtor, ata përballen me burgim të përjetshëm. rel

Top Channel