Tajlanda pa turistë/Phuketi, një ishull fantazëm

09/10/2020 17:52

Phuketi i famshëm në Tajlandë ngjason tani me një ishull fantazëm.

Baret janë të zbrazëta, rrugët të shkreta dhe banorët e varur shumë tek turizmi, po i ndjejnë shumë pasojat e pandemisë, me pak shpresë në horizont.Pishinat janë të zbrazura, po ashtu edhe restorantet ndërsa plazhet që normalisht janë të mbushura me njerëz janë aq të heshtura sa mund të shohësh specie të rralla breshkash deti që ngrenë të qeta foletë e tyre.

Vitin e kaluar, më shumë se nëntë milionë turistë vizituan Phuketin, destinacionin e dytë më popullor në mbretëri pas Bangkokut. Sot, thuajse të gjithë nga 3 mijë hotelet e ishullit janë të mbyllura dhe qyteti kryesor, Patong, është kthyer në një qytet fantazëm, siç shprehen vetë banorët atje. Tajlanda ka mbetur relativisht e paprekur nga pandemia globale, me rreth 3600 raste të konfirmuara dhe vetëm pak viktima. Por, vendimi i mbretërisë për tu përqendruar tek mundja e virusit, ka shkaktuar shumë telashe për ekonominë që pritet të kontraktohet me 7-9 për qind këtë vit dhe të lërë miliona njerëz të papunë.

Phuket, duhej të priste turistët e parë të huaj në Tajlandë në prill, në një eksperiment të matur të mbretërisë, por ardhja e tyre është shtyrë në vazhdimësi. Dhe karantina e detyrueshme dy javore dhe çmimi i lartë i paketave, disa mijëra dollarë për person, e kanë vështirësuar akoma më shumë situatën. Nuk mund të shpresohet shumë tek vizitorët e brendshëm, pavarësisht se paketat që u ofrohen atyre janë të ulëta, rreth 30 dollarë për dy netë, përfshirë edhe fluturimin nga Bangkoku.

Nuk presim kthim në normalitet për të paktën tre vjet, thonë banorët, që thonë se situata është akoma më e rëndë se ajo pas tsunamit të 2004.

Top Channel