Për shkak se gati 70% e popullsisë së bashkisë së Finiqit është në moshën e pensionit, emergjencat janë pothuajse të përditshme në këtë bashki.
Të moshuarit e vetmuar që jetojnë në zona të thella janë të shumtë dhe familjet me një anëtar të vetëm janë më shumë se 1700. Kufizimet për të kaluar kufirin me Greqinë kanë pamundësuar mbërritjen e më të rinjve në këtë territor kështu që prindërit dhe të moshuarit ngelen në kujdestari publike.
“Që kur u prish sistemi fëmijët ikën që atë vit dhe më nuk erdhën. Ne jetojmë vetëm me një pension të ulët. Ka qenë e vështirë që të jetohet vetëm? Shumë e vështirë ka qenë. A keni nevoja shëndetësore? Merrni ilaçe? Nevoja shëndetësore kemi shumë.”
“Unë kam sëmundje që para prishjes së sistemit. Kam probleme serioze zemre. Jemi kuruar të dy në Filat jashtë vendit dhe ilaçet i merrnim atje dhe vazhdojmë i marrim atje me mirëkuptimin e farmacive, çojmë dikë që na i sjell në shtëpi.
Kur i prisni fëmijët? Kur mendon që do vijnë? Nuk do arrijmë ne ti presim.”
“Ka emergjenca përditë? Mund të thuash përditë sepse është dhe kjo viroza që i përshpejton gjërat, duam, s’duam por na kanë shërbyer”
“Djemtë janë të ikur, të larguar nga fshati, shikojnë të gjejnë punë se këtu nuk ka të ardhme”
Bashkia e Finiqit morri vendimin që shërbimet sociale ti kthejë në një drejtori të posaçme për shkak të nevojave të veçanta që prezanton 70% e popullsisë së saj të moshuar.
“Sot kishim një rast që çuam në spital një të moshuar të vetmuar, përsëri dje dhe pardje kishim raste që fëmijët e tyre i prisnin në anën greke të kufirit në Kakavije dhe ne bëmë të mundur transportin e të sëmurëve. Pothuajse kemi çdo ditë raste të tilla. Duke parë që kjo është një nevojë e banorëve të bashkisë sonë, zmadhuam zyrën e shërbimit social në drejtori duke shtuar dhe dy punonjëse të tjera sociale në mënyrë që t’ju ofrohet ndihmë të moshuarve në shtëpi. Rastet kur nuk munden infermieret e fshatit që t’ju çojnë ilaçet atëherë shkojnë punonjëset sociale dy herë ditën për të dhënë ilaçet. Tani me pandeminë kemi pasur raste të shtuara të shqetësimeve mendore nga ankthi dhe mërzitja nga vetmia. Kemi 1700 raste në bashki që janë pleq që jetojnë vetëm pasi ju ka vdekur bashkëshorti ose bashkëshortja.”
Një emergjencë e prodhuar që prej muajve të parë të pandemisë duket se është zgjatur më tej për këtë bashki për shkak të specifikës ku shumë të moshuar të vetmuar nuk mund të marrin ndihmë nga familjet e tyre.
Top Channel