9 tetorin e 80 viteve më parë, lindi John Lennon.
Një përvjetor që i paraprin atij tjetrit, më 8 dhjetor, kur do të mbushen 40 vite nga koha kur Mark David Chapman, i dha fund me katër plumba pas shpine, njeriut që me “Beatles”, por edhe i vetëm, kishte revolucionarizuar popin dhe kishte frikësuar shtetet e bashkuara me idetë e tij revolucionare për paqen universale.
John Uinston Lennon, mbetet një nga ikonat më të fuqishme të prodhuara ndonjëherë nga kultura popullore, një njeri që falë muzikës dhe angazhimit të tij për paqen, ka ndryshuar botën. Vetëm qënia pjesë e Beatles, përvec se një nga themeluesit, përbën një eksperiencë të mjaftueshme për të hyrë në histori. Por Lennon ka qenë në gjendje ti shtojë edhe një trajektore njerëzore dhe artistike shumë të rëndësishme, jetës së tij të dytë si artist solist e për këtë mjafton të kujtosh një këngë si Imagine.
I lindur dhe i rritur në liverpul, lennon kishte kaluar një fëmijëri dhe adoleshencë të vështirë nga e cila doli me një personalitet të vështirë. Por, e shpëtoi muzika, e cila shëroi të paktën pjesërisht, plagët e shpirtit. Dyshja Lennon McCartney, mbetet një nga ciftet e autorëve më të rëndësishme të historisë, një ekip me krijimtari të mrekullueshme që ka sjellë këngë si “Love me do” apo “Straëberry Fields Forever”. Pas lidhjes së tij me Yoko Onon, shumëkush do të shikonte një Lennon tjetër.
Për qëndrimet e tij ndaj luftës në Vjetnam dhe paqen, John Lenon spiunohej nga FBI me urdhër të Richard Nixon, i cili për ta hequr qafe atë personazh jo shumë komod, donte edhe ta dëbonte nga Amerika. Sidoqoftë, pas shumë betejave arriti të fitonte Green Card-in dhe u vendos në New York. Deri kur u vra nga një i c’ekuilibruar…
Top Channel