Qendra ujore azili/ Britania do të vendosë azil-kërkuesit në kroçera të vjetra në bregdet

08/10/2020 18:34

Londra po avancon së fundmi idenë e çuditshme të akomodimit të refugjatëve të rinj në kroçera të vjetra të vendosura në portet e saj, megjithë mohimet fillestare të autoriteteve.

Sipas raportimeve, zyrtarët kanë nisur tratativat për blerjen e dy kroçerave të tjera për t’i kthyer në qendra të procesimit të azilit në portin e Portsmouth.

Më herët raportime impresionuese nga ministria e brendshme flisnin për përdorim të ishujve, anijeve apo dhe impjanteve detare të naftës për këtë qëllim.

Qeveria thotë se vendet e akomodimit të refugjatëve janë diskutuar vetëm në sesione të shkurtra për mbledhjen e ideve, dhe se dalja e tyre në media ka si qëllim dëmtimin e ministrave të përfshirë.

Por burimet të tabloidit vendas “Sun” thonë se blerja e dy trageteve mund të kompletohet brenda një muaji: “Ka një vendosmëri për ta zgjidhur sa më shpejt këtë problem. Do të bëhet me tragete”.

“The Times” raportonte se një traget 40-vjeçar i vjetëruar mund të blihet nga Italia për 6,000,000 paundë, në të cilin mund të strehohen 1,400 njerëz në 141 kabina.

Në fund të gushtit rreth 5,000 njerëz kanë ardhur në Britani me barka të vogla. Megjithë rritjen e ardhjeve në dy vitet e fundit në Angli, numri i refugjatëve është gjithsesi më i vogël se në vende të tjera të BE.

Italia ka parë rreth 17,000 të ardhur në gusht, ndërsa Spanja rreth 10,800.

Në një takim të konservatorëve, ministrja e brendshme Priti Patel quajti sistemin e azilit në Britani ‘të rrënuar” duke insistuar se politikat e reja do të jenë ‘më të drejta e më të ashpra’.

FOTO GALERI
1/5
Londra po avancon së fundmi idenë e çuditshme të akomodimit të refugjatëve të rinj në kroçera

Top Channel