Këshilli i Lartë Gjyqësor u ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve që e kanë kaluar procesin e Vettingut që të aplikojnë për pozicionet e lira si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Në deklaratën e KLGJ-së thuhet se duke e vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si organin kryesor për garantimin e respektimit të parimeve të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sigurimin e kushtetutshmërisë në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë inkurajon të gjithë gjyqtarët që të aplikojnë.

Ky apel i KLGJ-së, vjen pas atij të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që i bënte apel prokurorëve që të aplikonin për vendet vakante.

Deklarata:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i vetëdijshëm për rëndësinë që ka rifunksionalizimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për forcimin e shtetit të së drejtës, për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, inkurajon gjyqtarët që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Duke mbajtur në konsideratë dispozitat e ligjit të posaçëm për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të mandatit, i garantohet e drejta për t’u caktuar në një detyrë tjetër të barabartë ose të përafërt. Referuar kësaj të drejte të njohur nga ligji, në rastin e magjistratit që zgjidhet dhe ushtron detyrën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të dispozitave të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, në vlerësim të Këshillit, ai ka të drejtën që, në përfundim të mandatit, të sistemohet në një pozicion në sistemin gjyqësor, më së paku në pozicionin që ka mbajtur, përfshirë këtu kur është rasti, edhe caktimi në një pozicion në nivel apeli. Këshilli ka vullnetin për zbatimin e kësaj të drejte të magjistratit.

Nga ana tjetër, Këshilli do të vijojë komunikimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, duke i propozuar ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore, që do të garantojë të gjitha aspektet e statusit të magjistratit.

Këshilli, duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si organin kryesor për garantimin e respektimit të parimeve të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sigurimin e kushtetutshmërisë në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë, inkurajon gjyqtarët me integritet dhe cilësi të larta etiko-profesionale të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallura nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA