Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në rast se nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare, atëherë Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë si dy shtete fqinje “që nuk e njohin njëra-tjetrën”.

Këto komente Hoti i bëri gjatë një konference për media pas takimit në Prishtinë me komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Megjithatë, Hoti tha se është bërë përparim në dialog dhe se duhet gjetur forma për të tejkaluar temat e vështira për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

“Kemi bërë progres nga korriku e këndej. Me rëndësi të thuhet se ekziston konsensusi i plotë shoqëror në Kosovë për procesin e dialogut dhe sigurisht se ka tema të vështira që duhet të gjejmë formën si t’i tejkalojmë për të arritur marrëveshjen përfundimtare”, tha Hoti.

Edhe zyrtari i lartë i BE-së, Varhelyi vlerësoi se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë përparim. Sipas tij, negociatat shihet se nuk janë të lehta, mirëpo duhet zhvilluar “momentumin që është krijuar”.

“Lajçak ( i dërguar i BE-së për dialogun, Mirosllav) dhe partnerët amerikanë kanë interesim për këtë proces. Në kohën e fundit kemi marrëveshjen në Uashington dhe shumë elemente të së cilës mund t’i gjeni edhe në planin tonë të investimeve”, tha Varhelyi.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që t’i përshpejtojë reformat në mënyrë që investimet e planifikuara nga BE-ja, “të mund të realizohen së bashku me përpjekjet për këto reforma”.

Kryeministri Hoti tha se me komisionarin evropian ka diskutuar për për planin e investimeve dhe rimëkëmbjes ekonomike të BE-së në vlerë totale prej 28 miliardë eurosh, prej te cilave 9 miliardë janë grante për Ballkanin Perëndimor.

“Projektet që ne kemi propozuar përfshijnë autostradën Prishtinë- Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë gaz përçuesin nga Maqedonia e Veriut dhe projekte të tjera”, theksoi Hoti.

Ndërsa, komisionari evropian tha se plani i investimeve ekonomike mund të ndryshojë rrënjësisht peizazhin në rajon brenda katër apo pesë vjetësh.

“Ne presim që ky plan do të rrisë ekonominë e rajonit për 3 deri 5 për qind dhe ky është një kontribut i konsiderueshëm për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Është vendimtare që të kemi një fushë të përbashkët ekonomike në Ballkan, sepse këto investime do të sjellin përfitime vetëm nëse ka bashkëpunim rajonal”, tha ai.

Varhelyi po viziton vendet e Ballkanit Perëndimor për të prezantuar planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe raportet e reja vjetore mbi përparimin në procesin e integrimit evropian.rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA