Të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë përgjatë 7 muajve që nga 17 prilli deri në 7 tetor 2020 në vendin tonë do të falen.
Përmes aktit normativ të publikuar ditën e sotme, të gjithë qytetarët që janë gjobitur pasi kanë thyer rregullat e vendosura nga qeveria gjatë muajve të pandemisë së COVID-19 do t’u kthehen paratë brenda datës 15 nëntor 2020. Kjo temë u diskutua në studion e emisionit “Top Talk”, ku i ftuar ishte eksperti i ekonomisë, Besart Kadia. Gjatë fjalës së tij, Kadia tha se falja e gjobave korrigjoi një sjellje të gabuar nga qeveria, pasi sipas tij edhe pse gjobat u vendosën qytetarët nuk u ndërgjegjësuan në lidhje me përhapjen e koronavirusit.
Denis Dyrnjaja: I duhur, i gabuar, apo një akt logjik ky akt normativ i qeverisë për të amnistuar të gjitha penalitetet financiare ndaj bizneseve, individëve.
Besart Kadia: Unë mendoj që nuk duhet të ishin bërë këto masa drastike. Sidomos vendosja e gjobave 10 milionë lekë, nëse kapeshe me bare e restorante të hapura. Kjo ishte e panevojshme në një kohë që konsum nuk ka. Përhapja e virusit u përdor si justifikim për të kaluar gjithçka. Pra pushteti mund të kalojë çdo lloj ndëshkimi për qytetarët për një pretekst të shëndetit publik, kjo ishte e gabuar sepse pushteti duhet të jetë i kujdesshëm për të kuptuar realitetin e qytetarëve, sa dëm bëhen.
Denis Dyrnjaja: A është normale të rregullojmë një gabim me një gabim. Fjala vjen gabim për mua është koncept i të zhbërit sepse unë nuk e shkela ligjin, ndërsa ti e shkele dhe falesh.
Besart Kadia: Ka diçka. Kjo është drejtësia e pagesës së taksave ose të ndëshkimit të gjobave të ndëshkohemi të gjithë njësoj. Por nëse Gjykata Administrative nuk punon, në qoftë se ministria vetë mund të ketë qenë e njëanshme në gjoba, është më mirë të zhbëhet i gjithë ajo gabim. U vendosën gjobat, u ndalua gjë përhapja e virusit? Jo nuk u ndalua. U vendosën gjobat, janë njerëzit aq të përgjegjshëm sa për të mos dalë nga shtëpia? Jo. Pra këto masa ishin për të frikësuar publikun, realiteti është që nuk e frenon dot, 10, 20, 30, 1.000 që mund të jenë ndëshkuar, unë mendoj me pa të drejtë, duhet zhbërë për të lehtësuar qytetarët.
Top Channel